Hoxha: Gjykatorja, hap i rëndësishëm në forcimin arsimit ligjor

Prishtinë | 20 Shk 2017 | 13:20 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministrja e Drejtësisë Dhurata Hoxha së bashku me rektorin e Universitetit “Haxhi Zeka”, në Pejë kanë bërë përurimin e Gjykatores në këtë universitet.

Duke folur për rëndësinë e këtij aktiviteti, Ministrja Hoxha tha se hapja e kësaj Gjykatoreje dëshmon përkushtimin e këtij universiteti, në rrugën e tij drejt edukimit të brezave të rinj në Fakultetin Juridik me qëllim që të nxjerr jurist sa më të përgatitur, të cilët janë më se të nevojshëm për fuqizimin e sistemit juridik të vendit, raporton Ekonomila Online.

Ministrja Hoxha para të pranishmëve tha se arsimi ligjor është pjesë qenësore e sistemit juridik dhe si i tillë kërkon mbështetjen e institucioneve për përmirësimin dhe zhvillimin e tij sipas legjislacionit në fuqi dhe praktikave më të mira ndërkombëtare, gjë për të cilën Ministria e Drejtësisë ka një angazhim të vazhdueshëm me qëllim të ngritjes dhe avancimit të mëtejmë kapaciteteve të sistemit juridik në përgjithësi.

“Ministria e Drejtësisë është duke i bërë një analizë arsimit ligjor për të parë se sa reflekton kjo në kurikulat e Fakulteteve Juridike në Kosovë. Gjithsesi, hapja e kësaj Gjykatoreje do të kontribuojë në lidhjen e arsimit ligjor me nevojat praktike të sistemit të drejtësisë” tha Ministrja Hoxha.  Kjo iniciativë, shtoi Ministrja, do të ndihmojë të diplomuarit që të jenë më afër profesionit të gjyqtarit, prokurorit, avokatit dhe për më tepër do të ndihmojë futjen e kuadrove më të reja në sistemin gjyqësor apo prokurorial.

Në fund të fjalës së saj, Ministrja Hoxha shprehu përkrahjen dhe përkushtimin e pa rezervë në përmirësimin e infrastrukturës ligjore, duke theksuar se mbeten të përqendruar para së gjithash në nxjerrjen e legjislacionit adekuat për sektorin e drejtësisë në përputhje me legjislacionin e BE-së dhe praktikave më të mira ndërkombëtare.

Ministrja Hoxha falënderoi organizatorët e këtij aktiviteti të rëndësishëm për arsimimin e studenteve te drejtësisë në Kosovë, duke i uruar për rezultate konkrete studentet e këtij Universiteti.

Millaku: Gjykatorja do t’iu shërbejë studentëve për të marrë përvojë

Rektori Fadil Millaku tha se themelimi i Gjykatores është pjesë e arkitekturës dhe se do t’iu ndihmojë studentëve të marrin përvojat e duhura.

“Kjo do tu shërbejë studentëve të marrin përvoja. Ju ofron mundësi për një arsim cilësor që studentët tanë të jenë të gatshëm për tregun e punës”, theksoi ai.

Ai siguroi të gjithë që do të punojnë në të mirë të studentëve në fushën e drejtësisë, duke shtuar që nga kjo studentët të kontribuojnë në sistemin e drejtësisë.

Ai falënderoi edhe ministren e Drejtësisë Dhurata Hoxha për pjesëmarrjen e saj.

Ushtruesi i detyrës së dekanit të Fakultetit Juridik, Gani Asllani theksoi se në këtë fakultet janë të regjistruar 2500 studentë, dhe si institucion ballafaqohen me sfida të ndryshme si stafin e pamjaftueshëm, mungesa e buxhetit e sfida të tjera.

“Sot fal angazhimit të shumë njerëzve dhe ndarjes së mjeteve me kohë është arritur të ndërtohet kjo gjykatore e cila është më moderne në Kosovë. Kjo është shumë me rëndësi për studentët tonë. Ata kanë mundësi të përcjellin shumë raste këtu dhe të shohin rastet në praktikë. Studentët mund të ndjenjë një ambient të zbatimit të drejtësisë në këtë objekt”, potencoi ai.

Të ngjashme