Hoxha: Gjyqtarët me integritet janë patriotë modernë

Prishtinë | 15 Mar 2017 | 16:57 | Nga Jehona Zhuniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Gjyqtarët me integritet dhe ata që kryejnë punën e tyre me guxim janë patriotë dhe shtetndërtues. Kështu ka thënë ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha pas vizitës që i bëri Gjykatës Themelore në Prishtinë, raporton Ekonomia Online.

Ajo ka shprehur edhe njëherë përkrahjen e saj të parezervë për tejkalimin e sfidave me të cilat përballen gjykatat në vend.

Ministrja Hoxha, ka folur edhe për Grupet Punuese për të cilët ka thënë se secila gjykatë duhet ta ketë zërin e tyre në këto grupe.

“Kam theksuar edhe çështjen e grupeve punuese pra që Gjykatat Themelore duhet ta kenë zërin e tyre, duhet ta kenë përfaqësuesin e tyre në grupe punuese sepse reformat që ne si ministri e Drejtësisë jemi duke i ndërmarrë në sektorin e sundimit të ligjit janë reforma të thella të cilat ne duhet bashkërisht ti ndërmarrim dhe ta kemi përkrahjen e secilit prej segmenteve në sektorin e sundimit të ligjit”, tha ajo.

Ajo ka thënë se askush nuk mund dhe nuk duhet të jetë mbi ligjin.

“Këtu dua të bart mesazhin të cilin e barta edhe në takim se sa patriotë modernë, shtetndërtues janë gjyqtarët me integritet, gjyqtarët të cilët e bëjnë punën e tyre me guxim gjithmonë në zbatim të ligjit pra mbi parimin që askush nuk duhet të jetë mbi ligjin”.

Ministrja Hoxha, ka thënë se beson që të gjitha institucionet në kuadër te sundimit të ligjit do të arrijnë ta kthejnë besimin në këtë sektor.

Kurse, kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Afërdita Bytyçi ka theksuar se kanë marrë përkrahjen e ministres Hoxha, në zhvillimin e gjyqësorit si dhe në zgjidhjen e problemeve që ka kjo gjykatë.

Ajo ka thënë se Gjykata Themelore në Prishtinë është gjykata më e ngarkuar në krahasim me gjykatat tjera të Kosovës.

Sipas saj, gjyqtarët e shkallës së parë direkt ballafaqohen me probleme të cilat së pari i adresojnë qytetarët.

“Problemet janë numri i madh i lëndëve dhe numri i vogël i gjyqtarëve dhe ne kemi nevojë për rritjen e numrit të gjyqtarëve  në mënyrë që të zgjidhen edhe rastet e grumbulluara, gjegjësisht të trashëguara me vite në këtë gjykatë, qoftë në lëmin civile apo penale por edhe në lëmit tjera”,ka thënë ajo.

Në këtë takim është vënë në dukje se procesi euro-integrues është i lidhur ngushtë me fuqizimin e sundimit të ligjit, e ky sukses është i sigurt vetëm duke zbatuar ligjin, duke siguruar bashkë-angazhimin e të gjitha instancave të sistemit të drejtësisë gjithnjë duke u bazuar, ndër të tjera, mbi parimet e transparencës dhe llogaridhënies.

Me vizitën e sotme në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ministrja e drejtësisë Dhurata Hoxha ka përfunduar ciklin e vizitave të Gjykatave Themelore në vend.

Të ngjashme