Hoxha mirëpret inicimin e ndryshimit të Kodit Penal dhe atij të Procedurës Penale

Prishtinë | 22 Nën 2016 | 12:13 | Nga

Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, sot ka marrë pjesë në takimin e radhës së grupit punues për rishikimin e drejtësisë penale. Në këtë punëtori ishin prezent Presidenti i vendit Hashim Thaçi dhe përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.

Ministrja Hoxha fillimisht ka shprehur përkushtimin e saj dhe të Ministrisë së Drejtësisë duke u fokusuar në përmirësimin dhe avancimin e mëtutjeshëm, rishikimin e sektorit të drejtësisë, veçmas të drejtësisë penale. “Përmes këtij procesi para së gjithash synojmë t’i arrijmë objektivat, përfshirë avancimin e mëtejshëm të legjislacionit të kësaj fushe, përgjithësisht me fokus rishikimi i dispozitave që i referohen korrupsionit dhe krimit të organizuar, adresimin e sfidave apo vështirësive që kanë hasur organet e zbatimit të legjislacionit penal, si dhe adresimin e të gjeturave nga raporti i Progresit i Komisionit Evropian”, tha Ministrja Hoxha.

Kodi Penal dhe Kodi i Procedurës Penale të konsideruara si kode mjaft të avancuara e të cilat kanë filluar të zbatohen që nga viti 2013, si rezultat i konsultimeve që janë bërë me institucionet e zbatimit të tyre dhe partnerët ndërkombëtar, është konstatuar se jo vetëm që është e nevojshme, por është edhe e domosdoshme t’i nënshtrohen procesit të rishikimit të drejtësisë penale, me theks Kodin Penal, Kodin e Procedurës Penale si dhe legjislacionin tjetër i cili direkt apo indirekt parasheh dispozita të kësaj fushe.

Ministrja Hoxha theksoi se ju ka dërguar shkresë institucioneve që merren me zbatimin e legjislacionit penal dhe që ka pranuar një numër të konsiderueshëm të komenteve dhe propozimeve, dhe atë nga gjykatat, prokuroritë, policia, shoqëria civile, si dhe nga partnerët tanë ndërkombëtar dhe falënderoj të gjithë për kontributin që kanë dhënë deri në këtë fazë duke dërguar komente dhe propozime.

“Me qëllim të shqyrtimit të këtyre komenteve dhe propozimeve, kam themeluar grupin punues, me këtë rast dua t’i inkurajoj anëtarët e grupit punues që këtë çështje ta trajtojë me prioritet, po ashtu e ritheksoj se e keni përkrahjen time të plotë që rishikimi i drejtësisë penale të përfundohet sa më parë” tha Ministrja Hoxha.

Në fund të fjalës, Ministrja Hoxha garantoi një proces transparent dhe gjithëpërfshirës, dhe ftoi të gjithë akterët të japin kontributin e tyre, me komente dhe propozime, me qëllim të avancimit të mëtutjeshëm të legjislacionit aktual, në mënyrë që organeve të cilat merren me zbatimin e ligjit t’u mundësohet infrastrukturë adekuate ligjore, që puna e tyre të jetë sa me efikase dhe efektive, në parandalimin dhe luftimin e dukurive negative.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme