Hoxha në Berlin: Kosova ka nevojë për përkrahje në liberalizim

Prishtinë | 07 Qer 2019 | 09:21 | Nga Ekonomia Online

Me ftesë të anëtarëve të Parlamentit Gjerman, Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, mori pjesë në Mëngjesin e lutjeve, ku ishin të pranishme edhe personalitete të shquara nga Gjermania dhe rreth 50 shtete të tjera nga të gjitha kontinentet.

Siç njofton komunikata për media, Hoxha në takime ka cekur se “Kosova ka nevojë për vlerësim dhe përkrahje në liberalizimin e vizave, në veçanti pjesëmarrjen e qytetarëve të Kosovës në vlerën themelore të BE-së, lëvizjen e lirë”.

Lidhur me pjesëmarrjen në këtë Mbledhje ndërkombëtare, Mëngjesin e lutjeve në Berlin, Hoxha e vlerësoi lart, duke theksuar se ishte rast edhe të bëhej diskutim me udhëheqës e diplomat të shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën si dhe liberalizimin e vizave.

“Simbolika e Mëngjesit të lutjeve në Berlin, përtej temave në fokus, promovon pajtimin dhe paqen, në veçanti për të përkrahur njerëzit që janë në rrezik, si dhe të varfrit, të pafavorizuarit, të uriturit ose refugjatët në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Në dhjetëra takime me mysafirët e Konferencës ndërkombëtare, potencova të arriturat e Kosovës në procesin integrues, nevojën e njohjes dhe integrimin në organizatat ndërkombëtare në veçanti për liberalizimin e vizave, pas plotësimit të të gjitha kushteve të parapara me udhërrëfyesin”, ka potencuar Ministrja Hoxha.

Po ashtu, ajo ka diskutuar me mysafirët e shquar të kësaj konference, duke potencuar se Kosova ka nevojë për përkrahje, por në rend të parë për vlerësim sepse, për më shumë se 7 vjet, ka punuar për arritjen e kushteve nga udhërrëfyesi.

Mëngjesi i Lutjeve, u kryesua nga deputetët e Parlamentit gjerman, Dr. Albert Weiler, Bernd Rützel dhe Steffen Bilger, ndërsa me fjalë rasti u prezantua edhe Ministri i Punëve të Brendshme të Bavarisë, me trajtimin e temës bosht: 30 vjet rënia e Murit të Berlinit nga një këndvështrim – Ecni me një dëshmitar bashkëkohor në Portën e Brandenburgut.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme