Hoxha në Ditën e Evropës ndan mirënjohje për gazetarët, gratë ndërmarrëse e nxënësit

Prishtinë | 09 Maj 2018 | 13:58 | Nga Mehmet Krasniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministria e Integrimit Evropian për nder të Ditës së Evropës ka bërë ndarjen e mirënjohjeve për gazetarë e nxënësit e shkollave të mesme. Gjithashtu mirënjohje u ndan edhe për gra ndërmarrëse, raporton Ekonomia Online.

Ministrja Dhurata Hoxha tha se pa të rinjtë, gazetarët dhe gratë Kosova nuk mund të përparojë në rrugën e saj drejt BE-së.

“Jo rastësisht u kemi ndarë mirënjohje të rinjve, gazetarëve dhe grave sepse mendojmë që janë pjesa më e rëndësishme e shoqërisë tonë. Pa asnjërin prej tyre nuk mund të ecim përpara në rrugëtimin drejt BE-së”.

Për promovimin e të arriturave të Kosovës në procesin integrues, MIE i ka ndarë mirënjohje gazetarit të RTK-së, Besart Galica dhe gazetares së portalit Indeksonline, Rita Çitaku.

Gazetari Galica tha se është befasuar kur ka kuptuar se do t’i ndahet mirënjohje pasi ka konkurruar me një shkrim kritikues  për mos punën e mjaftueshme të institucioneve në procesin e integrimit evropian.

Sipas tij ky është lajm i mirë për gazetarët sepse institucionet po e vlerësojnë kritikën.

“Kjo mirënjohje ka qenë befasi pasi që shkrimi me të cilin kam konkurruar ka qenë mjaft kritik ndaj institucioneve të Kosovës lidhur me mos punën e mjaftueshme karshi integrimeve evropiane”.

“Andaj, është një lajm i mirë për gazetarët që edhe kritika vlerësohet dhe nga institucionet është shenjë e mirë që po e vlerësojnë kritikën. Pra po i stimulojnë gazetarët që nëpërmjet kritikës të hapen rrugë për punë më të mëdha”.

Kjo ministri ka ndarë mirënjohje edhe për nxënës të shkollave të mesme, të cilët kanë bërë ese për Ditën e Evropës. Disa prej tyre ishin, Blerona Llugaliu, Endrina Ramadani, Mirjeta Alshiqi, Elma Gashi, Blerona Restelica, Arita Hoti, Sara Abrashi, Altina Tafili, Erblina Mulaku, Rinesa Maliqi.

Erblina Mulaku, nxënëse në shkollën e mesme profesionale “Feriz Guri-Vëllezërit Çaka” në Kaçanik, tha se kanë garuar me një ese që kishte të bënte me sundimin e ligjit sa i përket procesit të integrimit në Bashkimin Evropian.

“E kemi bërë një ese me temën ‘Sundimi i ligjit për integrim në Bashkimin Evropian”. Jemi cilësuar si eseja më e mirë dhe kemi marrë këto mirënjohje”.

Ndërsa disa nga gratë ndërmarrëse që kanë marrë pjesë në panairin në sheshin “Zahir Pajaziti” dhe u nderuan me mirënjohje ishin: Fata Zatriqi, Kadire Tahiri, Emine Tahiri, Gjyzide Gollopeni, Fatime Limaj, Gjylnaze Zatriqi, Adelina Veseli.

Lexo më shumë:

Të ngjashme