Hoxha para studentëve të Akademisë Verore: Agjenda evropiane e bashkon rajonin

Prishtinë | 11 Kor 2019 | 13:11 | Nga Ekonomia Online

Në ligjëratën për studentët e Akademisë Verore Ndërkombëtare Kosova 2019, Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ku prezantoi vizionin e ardhshëm për vendin dhe angazhimin për t’u bashkuar në familjen e kombeve të Bashkimit Evropian.

Kjo Akademi, ka mbledhur 55 studentë nga universitet prestigjioze nga 30 vende të të gjitha kontinenteve dhe ka në fokus temën “Ndërtimi i paqes në zonat pas konfliktit – Diplomacia, udhëheqja dhe negociatat”.

Agjenda evropiane, potencoi Hoxha, është një agjendë që na bashkon të gjithëve, pavarësisht nga përkatësia e tyre etnike, fetare apo politike. Kjo është një rrugë që kërkon përpjekjet më të forta nga ana jonë për të përshpejtuar ritmin e reformave të brendshme.

“Ne e dimë shumë mirë se historia mund të ndajë njerëzit, veçanërisht në rajonin tonë. Kjo është arsyeja pse ne duhet të bëjmë historinë duke punuar së bashku për një të ardhme më të mirë. Dhe, mënyra më e mirë për ne për të arritur këtë si vende individuale, por edhe si një rajon, është si anëtarë të barabartë brenda BE”, ceku Hoxha.

Në fjalën e saj, Hoxha ceku nënshkrimin e MSA-së, reformat – duke përfshirë masat për forcimin e sundimit të ligjit, nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe nxitjen e bashkëpunimit rajonal.

Ndërsa për liberalizimin e vizave, ceku se vendimi për liberalizimin e vizave qëndron në duart e Këshillit të Ministrave. Mungesa e liberalizimit të vizave po ndikon më së shumti tek të rinjtë tanë të cilët janë duke u privuar nga përjetimi dhe përqafimi i vlerave evropiane si bashkëmoshatarët e tyre në rajon.

“Heqja e regjimit të vizave, ka ndikim të drejtpërdrejtë në nxitjen e ekonomisë, nxitjen e partneriteteve, promovimin e kontaktit ndër kulturor dhe rritjen e shkëmbimit profesional dhe arsimor. Një perspektivë e qëndrueshme e BE-së për Ballkanin Perëndimor, është çelësi për paqen dhe stabilitetin në rajon”, potencoi ministrja dhe shtoi se duhet një BE më e angazhuar në rajon.

Ne vlerësojmë investimet e shteteve anëtare të BE në progresin e vendit tonë dhe ne jemi të vendosur të vazhdojmë punën e vështirë, por të nevojshme për reformat, vuri në dukje Hoxha, dhe shtoi se do të vazhdojmë punën tonë në forcimin e institucioneve tona demokratike, promovimin e fjalës së lirë dhe ruajtjen e të drejtave të barabarta për të gjithë qytetarët tanë, pa dallim.

Në fund, studentët e Akademisë Verore i parashtruan pyetje Hoxhës dhe vlerësuan lartë Kosovën dhe të arriturat e saj.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme