Hoxha pas takimit në Vjenë: Kosova është në fazën e fundit të liberalizimit të vizave

Prishtinë | 21 Shk 2019 | 14:07 | Nga Ekonomia Online

Pas takimit të Ministrave përgjegjës për çështjet evropiane, në Vjenë, Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka dhënë Deklaratë për shtyp:

Kosova mirëpret dhe vlerëson shumë partneritetin me Austrinë dhe jam mirënjohëse ndaj Ministrit Blümel për përpjekjet e tij për të çuar përpara agjendën strategjike për perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Kemi pasur diskutime konstruktive me pjesëmarrësit dhe u përsëritë rëndësia që BE të fokusojë politikën e saj të jashtme deri në vitin 2025 dhe më tej në procesin e zgjerimit me vendet e Ballkanit Perëndimor. Përfshirja Ballkani Perëndimor është vendimtar për stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit.

Strategjia e Zgjerimit, e cila u publikua vitin e kaluar, ishte më shumë se e mirëpritur, duke na dhënë mesazh të qartë për perspektivën evropiane të kësaj pjese të Evropës. Megjithatë, theksova rëndësinë e faktit që vendet e Ballkanit Perëndimor të ofrohen me hapa më të vendosur dhe konkret në rrugën evropiane.

Është e qartë se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor aspirojnë anëtarësimin në BE, megjithatë ky është një proces negocimi i cili duhet të zhvillohet me kujdes.

Siç e dini, Republika e Kosovës është në fazën e fundit të procesit të liberalizimit të vizave me BE. Edhe pse qytetarët e Republikës së Kosovës janë më pro BE-së në Evropë, Kosova është i vetmi vend me regjim të vizave dhe ne do t’i nxisim shtetet anëtare të shpejtojnë procesin e vendimmarrjes pas konfirmimit nga Komisioni Evropian se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret nga udhërrëfyesi.

Ne, gjithashtu jemi fokusuar në ndihmën financiare nga BE për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe theksuam rëndësinë që BE të rrisë efikasitetin e përgjithshëm të projekteve të investimeve në Kosovë dhe rajon. Gjithashtu, një aspekt i rëndësishëm do të ishte rritja e granteve të BE-së për projekte të ndryshme infrastrukturore.

Të ngjashme