Hoxha takoi Stjernvall: Gjatë presidencës së BE-së nga Finlanda presim rezultate pozitive

Prishtinë | 11 Kor 2019 | 15:52 | Nga Ekonomia Online

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, priti në takim Ambasadoren e Finlandës në Kosovë, Pia Stjernvall, me të cilën diskutoi për bashkëpunimin dhe perspektivën e Kosovës brenda vlerave të BE-së.

Ministrja Hoxha, vlerësoi lartë kontributin e Finlandës si vend mik, në proceset integruese, duke potencuar rëndësinë e presidencës finlandeze në krye të BE-së dhe finalizimin e interesit të qytetarëve tanë për liberalizim gjatë këtij gjashtëmujori.

“Presidenca finlandeze, në krye të BE-së, për neve është shumë e mirëpritur, ngase, Ju keni qenë në dijeni për të gjitha zhvillimet, keni kontribuar për arritjet tona, jo vetëm në përmbushjen e kritereve për liberalizim por edhe në zbatimin e MSA-së, zbatimin e reformave nga Agjenda Evropiane si dhe përpjekjet e vazhdueshme për përafrimin e Kosovës me BE-në dhe vlerat integruese”, potencoi Ministrja Hoxha dhe shtoi se ne nuk do të ndalemi në këtë proces, por qytetarët tanë presin më shumë, presin vepra konkrete nga ato që deklarohen në BE pas plotësimit të kritereve për liberalizim.

Ministrja potencoi se gjatë presidencës finlandeze, pret intensifikim të veprimeve dhe finalizim të liberalizimit të vizave, ngase kriteret janë plotësuar më shumë se një vit.

Ambasadorja Stjernvall vlerësoi të arriturat e Kosovës në të gjitha fushat, duke potencuar prioritetet e presidencës finlandeze, ndërsa ka ritheksuar pozicionin e Finlandës ndaj liberalizimit, i cili ishte vazhdimisht pozitiv, por kërkon unitet në Këshillin e Ministrave.

Finlanda, ka kontribuar dhe po kontribuon në të gjitha proceset integruese, me mbështetje të gjithanshme, potencoi Ambasadorja, ashtu edhe do të mbetet, përkrahje e plotë për Kosovën dhe qytetarët e saj.

Ministrja Hoxha dhe Ambasadorja Stjernvall u dakorduan se detyrat e shtëpisë në procesin integrues janë agjendë ditore e institucioneve qendrore dhe lokale, duke kontribuar në fuqizimin e sundimit të ligjit, zbatimin e reformave si dhe agjendës integruese.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme