Hoxha: Të zbardhet çdo rast i personave të pagjetur, autorët e krimeve të dënohen

Prishtinë | 30 Gus 2017 | 11:44 | Nga

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare për të zhdukurit, ministrja në detyrë e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, në rrjetin social ka theksuar se opinioni vendor e ndërkombëtar rikthen në kujtesë tragjedinë e rëndë të popullit tonë, çështjen e personave të pagjetur. Ajo thekson se jo vetëm që u vranë në mënyrë barbare qytetarët e Kosovës, por as kufomat nuk po gjenden.

Ministrja Hoxha, fton sërish organet e Drejtësisë vendore dhe ndërkombëtare që të ndërmarrin të gjitha veprimet që autorët e krimeve në Kosovë, të sillen para drejtësisë dhe japin përgjegjësi për krimet e kryera nga forcat militare e paramilitare serbe.

Postimi i plotë në rrjetin social i Ministres Hoxha:

Në Ditën Ndërkombëtare për të zhdukurit, opinioni vendor e ndërkombëtar rikthen në kujtesë tragjedinë e rëndë të popullit tonë, çështjen e personave të pagjetur. Paradoksi i kësaj tragjedie qëndron edhe në faktin se jo vetëm që në mënyrë më barbare u vranë qytetarët tanë, por as kufomat nuk po gjenden.

Bashkësia ndërkombëtare ka një detyrë me prioritet për këtë çështje, ndriçimin e fatit të çdo të pagjeturi, sepse kryesit e këtyre krimeve janë gjallë. Ajo duhet të bëj presion të shtuar ndaj institucioneve pasardhëse të atij regjimi kriminal të Serbisë, për çdo rast të të pagjeturve.

Paqja e mirëfilltë në rajon arrihet kur do të zbardhet çdo rast dhe secili kryes i atyre veprave makabre të marrin dënimin e merituar.

Ftoj sërish organet e Drejtësisë vendore dhe ndërkombëtare, në këtë ditë të rëndë, të ndërmarrin të gjitha veprimet që autorët e krimeve në vendin tonë, të sillen para drejtësisë dhe japin përgjegjësi për krimet e kryera nga forcat militare e paramilitare serbe.

Të ngjashme