Hoxha: Zero tolerancë ndaj dhunës në familje

Prishtinë | 19 Pri 2017 | 12:11 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, mori pjesë në lansimin e Strategjisë Kombëtare për mbrojtje nga dhuna në familje, si dhe Planit të Veprimit 2016 -2020. Të pranishëm ishin Zëvendës ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikes, znj. Colleen Hyland, Kryeshefja e Agjencisë për Barazi Gjinore,  Edi Gusia, Shefja e zyrës UNWOMAN, Flora Macula, si dhe Koordinatori Nacional për mbrojtje nga dhuna në familje, Zëvendësministri, Munir Basha. Me kёtё rast, Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, ka vlerësuar këtë Strategji si shumë tё rëndësishme pёr vendin.

“Dhuna në familje, padyshim është një nga fenomenet më të shëmtuara dhe paralizuese, për trajtimin e së cilës ndërmerren përpjekje të vazhdueshme edhe në nivel ndërkombëtar. Si dukuri e përhapur në mbarë botën, në trajta dhe përmasa nga më të ndryshmet dhe e ushqyer nga zakone dhe tradita patriarkale të dominimit dhe kontrollit, shpesh përbën edhe shkakun kryesor të dëmtimeve deri edhe të humbjeve të jetëve njerëzore”, theksoi ministrja Hoxha.

Është tejet shqetësues numri i madh të rasteve të dhunës ndaj grave, ku statistikat tregojnë se pikërisht janë gratë ato që preken nga format e dhunës në familje, duke përfshirë edhe dhunën psikologjike, ekonomike dhe atë fizike, theksoi Ministrja, përveç dhunës së ushtruar ndaj grave dhe të moshuarve në familje, edhe fëmijët si vajzat ashtu edhe djemtë janë viktima të dhunës në familje.

Si më e ndjeshme konsiderohet kur personat me nevoja të veçanta rezultojnë gjithashtu të jenë të rrezikuar nga dhuna që ushtrohet në familje, krahasuar me anëtarët e tjerë të familjes, pikërisht për shkak të gjendjes së tyre. Po ashtu, personat e komunitetit LGBT përbëjnë një tjetër grup të rrezikuar për të pësuar dhunë në marrëdhëniet familjare.

“Ndonëse lufta jonë kundër kësaj dukurie negative po jep rezultate të ngadalta sesa do të dëshironim të gjithë, nuk do ndalemi asnjëherë deri sa të bëjmë tolerancën zero një realitet për qindra dhe mijëra fëmijë, gra, të moshuar që ndaj tyre ushtrohet dhunë”, theksoi ministrja Hoxha.

Ministrja Hoxha theksoi se deri më tani është krijuar një bazë solide ligjore duke përfshirë këtu edhe ligjin për Kompensim të Viktimave të Krimit që parasheh veprat e caktuara që hyjnë në kategorinë e veprave të kompensueshme, për të cilat viktimat e krimit mund të parashtrojnë kërkesë për kompensim, këto dispozita rregullojnë ndër të tjera dhe çështjen e dhunës në familje. Po ashtu, me propozim të MD-së, është emëruar nga Qeveria “Komisioni për kompensimin e Viktimave të Krimit”, si dhe janë përgatitur edhe draftet e udhëzimeve administrative.

“Në radhë të parë si nënë, si grua dhe si Ministre e Drejtësisë, i kam dhënë prioritet të veçantë luftimit të kësaj dukurie negative, duke u përkujdesur që gjatë kësaj kohe të krijoj kushte më të mira për ta luftuar këtë dukuri”, theksoi Ministrja Hoxha.

Veprimet e dala nga kjo strategji, përfshijnë sektorë të ndryshëm dhe zbatimi i tyre bie nën autoritetin e ministrive dhe agjencive. Andaj, Ministrja Hoxha kërkoi bashkëpunim në mënyrë që të gjitha veprimet e kësaj strategjie të jetësohen ne mënyrë sa më efektive.

Të ngjashme