Hoxhaj dhe Osmani diskutojnë për marrëveshjen Athinë-Shkup dhe mbledhjen e përbashkët të qeverive

Prishtinë | 19 Qer 2018 | 14:42 | Nga

Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka pritur sot në takim zyrtar homologun e tij nga Maqedonia, zëvendëskryeministrin Bujar Osmani.

Zëvendëskryeministrat Hoxhaj dhe Osmani kanë diskutuar në lidhje me marrëveshjen për emrin, e cila u arrit fundjavën që lamë pas në mes të Shkupit dhe Athinës, duke i dhënë fund mosmarrëveshjes disa vjeçare.

Zëvendëskryeministri Hoxhaj tha se arritja e kësaj marrëveshjeje është lajm i mirë jo vetëm për Maqedoninë, por edhe për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, pasi që përbënë mbylljen e njërës nga çështjet më të rëndësishme të Ballkanit.

“E urova zëvendëskryeministrin Osmani për nënshkrimin e marrëveshjes për emrin, duke krijuar momentum të ri në Ballkan për zgjidhjen e çështjeve të hapura historike”, tha zëvendëskryeministri Hoxhaj.

Në takimin me zëvendëskryeministrin Osmani, u diskutua edhe për mbledhjen e përbashkët me Maqedoninë, nga e cila pritet të dalin mbi 15 marrëveshje bashkëpunimi të nënshkruara.

Shumë shpejtë pritet edhe caktimi i datës së kësaj mbledhjeje.

Hoxhaj dhe Osmani folën edhe për zhvillimet në rajon dhe perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme