Hoxhaj i shpreh ngushëllime familjes Bogujevci: Vepra e Ismet Bogujevcit do të kujtohet breza pas brezi

Prishtinë | 13 Maj 2021 | 21:00 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj i ka shprehur ngushëllime familjes Bogujevci, për vdekjen e këngëtarit Ismet Bogujevci.

Hoxhaj përmes një postimi në Facebook, ka thënë se vepra e tij do të kujtohet brez pas brezi.

“Kolosi i këngës popullore shqiptare, Ismet Bogujevci u nda nga jeta sot. Opusi i tij artistik i larmishëm i dha vlera të çmuara kulturës dhe folklorit shqiptar për shumë dekada, ndërsa këngët e tij mbushën me dashuri e frymëzim një shoqëri të tërë. Vepra e tij do të kujtohet breza pas brezi, por artisti i madh do t’i mungoj shumë skenës, të cilës ia dedikoi një jetë të tërë! Ngushëllime familjes, komunitetit artistik dhe të gjithë miqve”, shkruan Hoxhaj.

Ndryshe, sot ka ndërruar jetë figura e çmuar e kulturës kosovare, doajeni i muzikës popullore dhe folklorit shqiptar, Ismet Bogujevci.

Për të nderuar figurën dhe punën e të ndjerit, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në bashkëpunim me institucionin i Ansamblit të Këngëve dhe të Valleve “Shota”, do të organizojë një ceremoni komemorative nesër më 14 maj.

Nga ora 11:00 – 11:15 mbahet parakalimi i veturës së funeralit përmes sheshit Zahir Pajaziti deri në Teatrin Kombëtar, ndërsa nga 11:30 – 14:00 mbahet ceremonia zyrtare e homazheve në Teatrin Kombëtar nga delegacionet shtetërore dhe komuniteti.

Ismet Bogujevci ishte solisti ndër dekada i Ansamblit Kombëtar ‘Shota’ dhe i shumë shoqërive që kanë lënë nam në Kosovë dhe trojet shqiptare. Ai ka interpretuar një mori këngësh të famshme e ka pasur edhe shumë bashkëpunime. “Një lulishte”, “Kënga e Jemenit”, “Sillma erën e malit” – janë vetëm disa prej projekteve të tij të njohura.

Varrimi i të ndjerit bëhet nesër në ora 16:00 në varrezat e qytetit në “Arbëri”, duke respektuar masat kundër Covid-19.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme