Hoxhaj: Kjo dekadë është e shqiptarëve të suksesshëm në botë

Prishtinë | 08 Dhj 2016 | 15:29 | Nga

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka marrë pjesë sot në tryezën kushtuar qendrave kulturore të përbashkëta të Kosovës dhe Shqipërisë në diasporë, të organizuar nga British Council dhe Ambasada Norvegjeze në Kosovë, në bashkëpunim më Qeverinë e Kosovës dhe atë të Shqipërisë.

Ministri Hoxhaj përshëndeti formimin e këtyre qendrave, të cilat tha se janë një e arritur mbresëlënëse e dalë nga mbledhja e dy qeverive në tri vitet e fundit.

Hoxhaj tha se ky është hapi i radhës që e konfirmon bashkëpunimin e ngushtë mes qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës.

“Pas iniciativave të suksesshme mes dy ministrive të jashtme për të hapur konsullata e përbashkëta mes Kosovës dhe Shqipërisë, fillimisht në Milano, Bari dhe Mynih, ky hap tjetër konfirmon bashkëpunimin e ngushtë me Qeverinë e Republikës së Shqipërisë. Një marrëdhënie që nuk është në letër por po ec ngadalë e sigurt drejt rezultateve konkrete”, tha Hoxhaj.

Ky model i bashkëpunimit, tha ministri Hoxhaj, duhet të shërbejë si platformë e avancimit të diasporës shqiptare në shtetet ku janë. Ai tha që këtë lloj bashkëpunimi e sheh si zgjatje të politikës së jashtme të Kosovës dhe si një instrument të diplomacisë ekonomike e kulturore.

Hoxhaj foli edhe për diasporën e re shqiptare me përfaqësuesit e saj në muzikë, sport, art e kulturë, ku përmendi ambasadoren e nderit të Kosovës në Britani të Madhe, Rita Ora, pastaj Dua Lipa, Era Istrefi dhe yje të tjerë në sportin ndërkombëtar.

Hoxhaj theksoi se shqiptarët mund ta lënë shenjën e tyre me të arritura kudo në botë, ndërsa shtoi se dekada e ardhshme është e shqiptarëve të rijnë të suksesshëm në botë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme