Hoxhaj takon Hahn në Bruksel, koordinohen për vizat

Prishtinë | 15 Maj 2018 | 15:21 | Nga

Zëvendëskryeminstri i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj po qëndron për vizitë zyrtare në Bruksel, me agjendë lobuese për liberalizimin e vizave, ku ka zhvilluar takim me Komisionerit për Zgjerim dhe Fqinjësi të Mirë, Johannes Hahn.

Hoxhaj informoi Hahn në lidhje me progresin e Kosovës në plotësimin e kritereve për liberalizimin e vizave, duke shtuar se pret një rekomandim pozitiv nga Komisioni Evropian në lidhje me këtë çështje.

Hoxhaj theksoi se Kosova ka punuar shumë për ta plotësuar kushtin kryesor, ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi, ndërsa tha se po punohet gjatë gjithë kohës në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke shtuar se ky është një proces në të cilin duhet të punohet në vazhdimësi, jo vetëm si kusht për liberalizimin e vizave.

Po ashtu, zëvendëskryeministri Hoxhaj dhe komisioneri Hahn diskutuan edhe për zhvillimet në Kosovë dhe në rajon, perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, si dhe dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga BE-ja.

“Me komisionerin për Zgjerim dhe Fqinjësi të Mirë, Johannes Hahn, diskutuam në lidhje me zhvillimet në Kosovë dhe rajon, perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe dialogun Kosovë – Serbi. E falënderova për mbështetjen dhe theksova pritjen e qytetarëve të Kosovë për të udhëtuar pa viza, meqë tashmë i kemi plotësuar të gjitha kushtet në këtë drejtim”, deklaroi Hoxhaj.

Hoxhaj do të zhvillojë takime të shumta gjatë ditës së sotme me temë kryesore liberalizimin e vizave.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme