Hoxhaj takon shefen e Zyrës së BE-së, diskutojnë për regjistrimin e popullsisë 2021

Prishtinë | 28 Maj 2019 | 18:04 | Nga Ekonomia Online

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj ka takuar sot shefen e zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova me të cilën ka diskutuar në lidhje me përgatitjet për Regjistrimin e Popullsisë dhe Banesave 2021.

Zëvendëskryeministri Hoxhaj ka njoftuar Apostolovan për ecurinë e përgatitjeve për regjistrimin 2021 sipas rekomandimeve të EUROSTAT-it, proces i cili do të implementohet nga Agjencia e Statistikave të Kosovës me mbështetjen e institucioneve të Kosovës dhe donatorëve të jashtëm.

Zëvendëskryeministri Hoxhaj ka theksuar se regjistrimi i vitit 2011 është vlerësuar pozitivisht nga EUROSTAT-i dhe Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit.

“Jemi të përkushtuar për një proces të suksesshëm pasi që këto të dhëna nuk janë të rëndësishme vetëm për sistemin statistikor të Kosovës, por janë kyqe për krijimin e politikave qeveritare, përdoret për qëllime akademike, të shoqërisë civile dh​e medias. Ky process do ta vendosë Kosovën në hartën e EUROSTAT-it ku të dhënat do të analizohen bashkë me të dhënat e vendeve të tjera nga Parlamenti Evropian dhe Komisioni Evropian”, tha zëvendëskryeministri Hoxhaj.

Hoxhaj njoftoi se Kosova do të organizojë konferencë të donatorëve në lidhje me këtë process në shtator të këtij viti.

Të ngjashme