“Hyn për dritare dhe e morën babën”, familja Qerkezi kërkon drejtësi për dëmët që i shkaktoi bastisja e KFOR-it

Prishtinë | 16 Tet 2020 | 20:46 | Nga Ekonomia Online

Ka rreth 16 vjet që familja Qerkezi nga Komuna e Obiliqit, e ruan një mjet si dëshmi për të treguar atë se çfarë kishte përjetuar.

Natën e 23 marsit të vitit 2004, ishte hera e 73-të që trupat e KFOR-it kishin bastisur shtëpinë e kësaj familjeje dhe kishin lënduar disa anëtarë të saj.

Kryefamiljari Adem Qerkezi, duke treguar për atë se çfarë kanë përjetuar atë natë, thotë se asnjë nga institucionet e Kosovës nuk u interesuan për fatin e familjes gjatë këtyre vjetëve.

“Kanë ardhur ata të UNMIK-ut shpesh, kanë ardhur, na kanë kontrolluar shkaku i këtij djalit që ka qenë atje në Koshare. S’di çfarë kanë menduar ata, kurrë s’na kanë thënë që ‘për këtë po vijmë’, shumë shpesh kanë ardhur ata, s’e di ku e kanë pasur qëllimin, send s’kanë gjetur, vetëm këso sende, vetëm atë ditë që kanë ardhur e kanë plagosur qikën”, ka thënë Qerkezi.

Përjetimet e asaj nate i ka të freskëta edhe nipi i Ademit, Beqiri, i cili ishte vetëm 14- vjeçar dhe u plagos në këmbë.

“Komplet me dritare janë futur i brenda, pra m’i kanë gjuajtur xhamat në këmbë. Kur kanë hyrë brenda atëherë më ka dal mua gjumi, i kam parë ata mbi krye, s’e kam hetuar se jam i prerë këmbëve edhe e kanë marrë babën, ashtu siç ishte fjetur, e kanë marrë dhe e kanë lidhur, e kanë nxjerr jashtë, edhe i kam dëgjuar disa zhurma, një lloj eksplozivi, çfarë ka qenë ajo”, ka thënë Beqir Qerkezi.
 

E Lime Qerkezi thotë se jeta i është shkatërruar.

“Me zbardh rastin, arsyeja pse me kanë mbytur mua, unë jam e shkatërruar, veç Zoti që s’ka dashtë, edhe pasurinë krejt që e kanë marrë në atë shumë, sepse na e kemi grumbulluar me mund e me punë, sa kemi tubuar me ndërtu diçka, se sot i kemi jetimet, askush nuk ka ardhur me dhënë llogari”, ka thënë Lime Qerkezi.

Bastisja e familjes Qerkezi ishte xhiruar edhe nga agjencia e lajmeve AP, pamje këto që ndodhën në faqen e agjencisë në Youtube. Madje në këtë video 3-minutëshe flet edhe një zyrtar, i cili tregon për bastisjen dhe thotë se u bë me qëllim të grumbullimit të më shumë informatave rreth rritjes së dhunës në Kosovë.

“Trupat e KFOR-it kanë kërkuar në disa shtëpi si dhe ka pasur disa arrestime. Të gjitha gjërat që i kemi gjetur do të ekzaminohen si dhe do të marrim në pyetje edhe personat të cilëve u kemi marrë këto mjete. Krejt kjo po bëhet që të marrim më shumë informata që mund të shpjegojnë se përse ka pasur rritje të vazhdueshme të dhunës në Kosovë”, thotë zyrtari i KFOR-it në video.

Familja Qerkezi tha se pas bastisjes u vizitua nga zyrtarë të Policisë së Kosovës, por askush s’mori ndonjë dëshmi. E policia nuk u përgjigj lidhur me këtë rast.

KOHA po ashtu ka pyetur për këtë rast edhe Prokurorinë Speciale, UNMIK-un e KFOR-in, por askush s’ktheu përgjigje.

Të ngjashme