Hysni Gucati përcillet për në Aeroport nën masa të rrepta sigurie

Prishtinë | 16 Sht 2022 | 16:38 | Nga Ekonomia Online

Nën përcjelljen të rreptë të policisë së Eulex-it, Hysni Gucati është nisur drejt Aeroportit të Prishtinës, pasditen e sotme.

 Kreu i veteranëve të Ushtrisë Clirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, ka ardhur sot në Prishtinë, për ta vizituar nënën e tij, e cila po trajtohet në Klinikën e Onkologjisë në Prishtinë.

Menjëherë pas takimit me nënën, Gucati është nisur për në Hagë, ku për mbahet në paraburgim prej dy vitesh.

Gazeta Express ka siguruar një video të eskortës që po e bartte Gucatin për në aeroport, pak kohë pasi doli nga spitali, ku e vizitoi nënën e tij.

Gjykata Speciale ka konfirmuar për Expressin se Gucati ka udhëtuar për vendlindje për të takuar familjen e ngushtë dhe vizita e tij është lejuar për shkak të arsyeve humanitare.

“Për shkak të arsyeve bindëse humanitare, Kaolegji i Apelit ka udhëzuar Zyrën e Regjistrimit që të menaxhojë një vizitë kujdestarie në Kosovë për Hysni Gucatin për të takuar familjen e ngushtë. Hysni Gucati mbetet në paraburgim dhe në paraburgim të Dhomës së Specializuar. EULEX-i dhe Policia e Kosovës po mbështesin Dhomat e Specializuara të Kosovës”, kanë deklaruar nga Specialja për Express.

Gucati në korrik të këtij viti ishte lejuar të udhëtonte në Kosovë për të vizituar nënën e tij në Qendrën Klinike Universitare.

Në muajin maj, Dhomat e Specializuara i shpallën fajtorë Hysni Gucatin dhe Nasim Haradinajn për pengim të administrimit të drejtësisë, duke i dënuar me nga katër vjet e gjysmë burgim dhe me një gjobë prej 100 eurosh. Në dënim do të llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim. Ata gjenden në paraburgim prej shtatorit të vitit 2020.

Sipas këtij vendimi, më 17 qershor 2022, të akuzuarit kanë paraqitur njoftimet e tyre për apel.

Të ngjashme