I dëmtuari thotë se pasi i akuzuari ia mori mbi 2 mijë euro nën kërcënimin e armës, e thirri e ia kërkoi edhe 40 mijë

Prishtinë | 21 Tet 2021 | 15:57 | Nga Ekonomia Online

I dëmtuari B.K në cilësinë e dëshmitarit ka deklaruar se i akuzuari V.H duke ia vënë armën në kokë me kanosje ia mori 2 mijë e 500 euro, kurse pasi shkoi në stacion policor, e thirri e ia kërkoi edhe 40 mijë të tjera, duke e kërcënuar se do ia mbyste familjen.

Këtë deklarim, i dëmtuari e bëri të enjten në Gjykatën Themelore në Prizren, në rigjykimin ndaj V.H, i cili ngarkohet se ka përvetësuar mbi 2 mijë euro përmes forcës dhe kanosjes ndaj të dëmtuarit.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Ramadan Koro, i akuzuari u deklarua i pafajshëm.

Në fjalën hyrëse, prokurori Ramadan Koro deklaroi se pas administrimit të provave materiale si dhe atyre personale, do të vërtetohet se këtu i akuzuari është kryes i veprës penale sipas aktakuzës.

Fjalën hyrëse të prokurorit e mbështeti edhe i dëmtuari Basri Kryeziu dhe përfaqësuesi i tij, avokati Nexhat Elshani.

Në anën tjetër, mbrojtësja e të akuzuarit avokatja Myrvete Çollaku deklaroi se ankesa e prokurorit është refuzuar nga ana e Gjykatës Apelit, me vendimin nr. PAKR.nr. 543/19 të datës 21 nëntor 2019, me të cilin aktvendim është anuluar aktgykimi i Gjykatës Themelore në Prizren.

Tutje ajo tha se në pikën 2 të dispozitivit është refuzuar ankesa e prokurorit dhe kjo ankesë nuk mund të trajtohet në këtë gjykatë pasi që me këtë do të shkelej parimi ‘reformatio in peus’ dhe se kjo gjykatë duhet të procedojë vetëm sipas ankesës së mbrojtjes së të akuzuarit dhe se aktakuza e përmirësuar përbën shkelje të këtij aktvendimi.

Po ashtu, avokatja Çollaku i kërkoi gjykatës që në këtë çështje të procedohet vetëm në bazë të ankesës së mbrojtjes dhe se sipas këtij vendimi nuk na lejohet që të procedohen prova të tjera, mirëpo të vlerësohen vetëm ato ekzistuese, raporton betimipërdrejtësi.

Pas kësaj, është marrë në pyetje i dëmtuari në cilësi të dëshmitarit, B.K

K. deklaron se qëndron pranë deklaratës së dhënë para prokurorit, të datës 7 nëntor 2015 dhe  deklarimeve të dhëna në shqyrtim kryesor, ndërsa tha se të akuzuarin V.H e ka njohur dy ditë para ditës kritike, ku i kishte shkruar ai në Viber për ndërtimin e dy fontanave në Prizren.

Dëshmitari tha se e kishin lënë që të takohen te “Abi Center”, diku në mbrëmje dhe kishin ndenjur diku 10-15 minuta e pastaj ishin ngritur për të shkuar tek vendi ku kanë pasur për t’i ndërtuar dy fontana.

Dëshmitari Kryeziu tha se për tek vendi i fontanave kishin shkuar me veturën e tij “Renault Pickup” dhe i akuzuari Hoxhaj ishte i ulur tek karriga e pasagjerit.

Sipas tij, kur kishin mbërritur te vendi i “ T&A”, i akuzuari i kishte thënë se këto janë shtëpitë e tij dhe derisa ishin duke shkuar në një rrugicë, ai ia kishte vendosur armën dhe i kishte thënë “Qit pare, qit pare”.

Dëshmitari thotë se pastaj i njëjti kishte gjuajtur në drejtim të qiellit dhe se personalisht i kishte pasur në 5 vende nga 500 euro, të cilat ia kishte marrë i akuzuari dhe i kishte thënë “Ec e mos këqyr mbrapa”.

Pas kësaj, ai e kishte thirrë policinë, ku policia i kishte thënë që të shkojë në drejtim të Stacionit Policor dhe kur ka mbërritur aty, kishte deklaruar tërë rastin se si kishte ndodhur.

Kryeziu tha se gjersa ishte në stacion, e kishte thirrë i akuzuari dhe ia kishte kërkuar edhe 40 mijë euro të tjera, duke e kërcënuar se do ia mbyste familjen.

Ai thotë se së bashku me dy zyrtarë policorë me veturën e tij e tij “Pckup”, kishin shkuar për te “T&A”  dhe aty i akuzuari kishte hyrë në veturë të tij dhe ia kishte mbyllur veturën e pastaj edhe policia e kishte kapur në flagrancë sepse ishin prapa në bagazh të veturës.

Ndër të tjera, kryeziu shtoi se e kishte pasur një lëndim në pjesën e djathtë të kokës, ngase e kishte marrë nga goditja e kokës nga ana e armës së të akuzuarit si dhe një lëndim në këmbë.

Dëshmitari tha po ashtu se e kishte thirrë edhe vëllai i të akuzuarit për t’i kërkuar falje dhe një djalë i axhës së tij dhe shtoi se ende gjendjen e ka të rëndë dhe konsumon akoma barna të qetësimit.

Mbrojtësja e të akuzuarit Hoxhaj, avokatja Myrvete Çollaku deklaroi se nuk ka pyetje për dëshmitarin pasi që nëse do t’i parashtrojë pyetje do ta shkelë parimin ‘Reformatio in peus’, ashtu siç ka thënë edhe udhëzimi i Gjykatës së Apelit.

Pas kësaj, i akuzuari Vullnet Hoxhaj bëri vërejtje në drejtim të deklaratës së të dëmtuarit Basri Kryeziu, me arsyetimin se të gjitha fjalët e tij janë përmirësuar në disa vende nga gjyqtarja dhe prokurori dhe se nuk ishin shënuar disa fjalë në procesverbal për atë se çka ka thënë ose i janë përmrësuar.

Prokurori Ramadan Koro e kundërshtoi këtë vërejtje të të akuzuarit duke thënë se në asnjë moment nuk ka ndërhyrë në përgjigjet e të dëmtuarit.

Për shkak të angazhimeve të mbrojtjes së të akuzuarit Vullnet Hoxhaj, avokates Çollaku, seanca e sotme është ndërprerë dhe të radhës u caktuan më 8 dhe 9 dhjetor 2021.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prizren, në qershor të vitit 2016, e kishte gjetur fajtor të akuzuarin Vullnet Hoxhaj për veprën penale të grabitjes dhe atë të armëmbajtjes pa leje, duke e dënuar me tre vjet burgim efektiv dhe 3 mijë e 500 euro gjobë.

Por të pakënaqur me këtë aktgjykim, ankesë kishin ushtruar Prokuroria Themelore në Prizren dhe mbrojtësja e Hoxhajt, avokatja Myrvete Qollaku. Andaj, në shkurt të 2017-ës, Gjykata e Apelit kishte aprovuar ankesën e mbrojtjes dhe kishte anuluar aktgjykimin e shkallës së parë, duke e kthyer lëndën në rigjykim, me konstatimin se gjykata e shkallës së parë nuk kishte arritur të vërtetojë drejtë dhe saktë gjendjen faktike për të cilën e ka dënuar Hoxhajn.

Gjykata Themelore në Prizren, pas kthimit në rigjykim, sërish kishte marrë aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit Hoxhaj, të cilin e kishte dënuar me tre vjet burgim dhe 3 mijë e 300 euro gjobë.

Ajo kishte bërë edhe ricilësimin e kësaj vepre penale, ashtu që e kishte shpallur fajtor për veprën penale të grabitjes nga neni nenit 329, paragrafi 1, vepër e cila dënohet nga 3 deri në 12 vite burgim dhe jo siç kishte qenë më parë, sipas nenit 329, paragrafi 3, i cili nen parasheh dënimin nga 7 deri në 12 vite burgim.

Por, as me këtë aktgjykim nuk kishte qenë e kënaqur Prokuroria Themelore në Prizren, e cila kishte ushtruar ankesë kundër këtij aktgjykimi.

Në seancën e mbajtur më 7 qershor 2018, ajo kishte kërkuar nga Gjykata e Apelit që të akuzuarit për grabitje e armëmbajtje pa leje t’i shqiptoj një dënim më të ashpër se sa që i ishte shqiptuar nga ana e gjykatës së shkallës së parë.

Lidhur me këto pretendime ankimore, Gjykata e Apelit e kishte ndryshuar aktgjykimin e shkallës së parë për sa i përket cilësimit juridik për veprën penale të grabitjes, ashtu që të njëjtën e kishte ricilësuar në vepër penale të detyrimit, duke i shqiptuar të akuzuarit Hoxhaj dënim unik për të dy veprat penale, në dy vjet burgim dhe 2 mijë e 500 euro gjobë.

Por duke vendosur sipas kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë, të paraqitur nga avokatja Myrvete Qollaku, Gjykata Supreme, me 12 nëntor 2019, e kishte kthyer rastin në rivendosje për sa i përket veprës penale të detyrimit, kurse pjesën që ka të bëj me veprën penale të armëmbajtjes, Supremja e kishte vërtetuar dënimin.

Edhe pas kthimit të rastit në rivendosje nga ana e Supremes, Apeli ka vendosur sërish që të ricilësojë veprën penale të grabitjes në veprën penale të detyrimit, mirëpo, për dallim nga hera e kaluar, kësaj radhe edhe dënimi i shqiptuar ndaj Hoxhajt është më i ulët për gjashtë muaj, apo një vit e gjashtë muaj burgim në krahasim me dy vite sa kishte qenë herën e kaluar.

Po ashtu, krahas dënimit me burg, Hoxhajt i është shqiptuar edhe dënim me të holla në lartësi prej 2 mijë euro.

“Kjo gjykatë vlerëson se gjykata e shkallës së parë, gabimisht ka aplikuar dispozitën e ligjit penal ku të akuzuarin e ka shpallur fajtor për vepër penale grabitje nga neni 329 par. 1 të KPK-së, ngase, sipas gjendjes faktike të vërtetuar nga gjykata e shkallës së parë, e të përshkruar më detajisht si në dispozitiv të aktgjykimit të ankimuar, me veprimet inkriminuese të akuzuarit Vullnet Hoxhaj, nuk plotësohen elementet e veprës penale të grabitjes nga neni 329 par. 1 të KPK-së, por në rastin konkret kemi të bëjmë me vepër penale të detyrimit nga neni 340 par. 2 të KPK-së”, thuhej në aktgjykimin e Apelit të nxjerrë më 4 janar të vitit 2019.

Gjykata Supreme, në vitin 2019, sërish ka anuluar aktgjykimin e Apelit, duke aprovuar kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë, të ushtruar nga mbrojtësja e Hoxhajt, avokatja Myrvete Qollaku, me konstatimin se me rastin e vendosjes ka pasur shkelje të ligjshmërisë dhe duhet të arsyetohet ricilësimi i veprës penale për të akuzuarin Hoxhaj.

Kështu, Apeli sërish ka vendosur që rasti të kthehet në rigjykim në shkallë të parë.

Sipas aktakuzës së përmirësuar të Prokurorisë Themelore në Prizren, Vullnet Hoxhaj akuzohet se më 14 nëntor 2015, në afërsi të bazenit “T&A” në Prizren, duke përdorur forcën dhe duke kanosur të dëmtuarin Basri Kryeziu, ka përvetësuar pasurinë e këtij të fundit, me qëllim që vetes t’i sjellë dobi pasurore të kundërligjshme.

Siç thuhet në aktakuzë, ai kishte kontaktuar me të dëmtuarin Basri Kryeziu dhe e kishte ftuar për të biseduar në picerinë “Abi” dhe pas takimit të tyre në atë vend, i akuzuari del së bashku me të dëmtuarin kinse për të shkuar në shtëpinë ku Kryeziu kishte punuar një fontanë dhe me automjetin e këtij të fundit, të tipit “Pikap”, vazhdojnë rrugën deri në afërsi të bazenit të lartpërmendur.

Sipas aktit akuzues, aty i akuzuari e ka kanosur seriozisht të dëmtuarin dhe ka përdorë forcë ndaj tij, duke i shkaktuar lëndime të lehtë trupore, ku dhe ia merr shumën prej 2 mijë e 500 euro dhe del nga automjeti e largohet në drejtim të panjohur.

Tutje sipas aktakuzës, i dëmtuari Kryeziu shkon në stacionin policor për ta lajmëruar rastin, ku gjatë kohës sa ishte duke u intervistuar aty, e thërret në telefon i akuzuari Hoxhaj dhe lënë takim në afërsi të picerisë “Abi”.

Gjithnjë sipas aktakuzës, pasi të njëjtit takohen, thuhet se kur i akuzuari hyp për të kërkuar para në automjetin e të dëmtuarit, ai arrestohet nga ana e policisë, pasi këta të fundit kishin qenë duke vrojtua rastin në pjesën e prapme të automjetit.

Më këtë, Vullnet Hoxhaj akuzohet se ka kryer veprën penale “detyrimi” nga neni 340, paragrafi 1 i Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe me burgim prej tre muaj deri në pesë vjet. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Të ngjashme