I kontestohet kushtetutshmëria mbylljes së bastoreve

Prishtinë | 21 Dhj 2019 | 08:05 | Nga Ekonomia Online

I është kontestuar kushtetutshmëria Ligjit për ndalimin e lojërave të fatit. Ka katër muaj prej kur ai është përcjellë në Gjykatën Kushtetuese, dhe një informatë për këtë nuk i është bërë e ditur publikut.

Të mërkurën Kushtetuesja ia ka konfirmuar gazetës se lëndën e ka në shqyrtim, por nuk ka treguar arsyet pse deri tash nuk ka vendosur për pranueshmërinë ose jo të kërkesës së bërë nga një prej bizneseve që ka zhvilluar aktivitet të lojërave të fatit, shkruan sot Koha Ditore.

“Një kërkesë e tillë është parashtruar në Gjykatë më 28 gusht 2019, nga ‘CO Colina’ sh.p.k.”, ka konfirmuar për gazetën Kushtetuesja. “Përkitazi me çështjen e pranueshmërisë së kërkesës së parashtruar në këtë rast, Gjykata do të vendosë pas shqyrtimit të lëndës”.

“CO Colina” është një bastore, e regjistruar në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve në vitin 2007. Përfaqësues i autorizuar i saj figuron të jetë Muradif Haskoviq. Haskoviq ka edhe 45 për qind të aksioneve në këtë biznes, ndërsa 55 për qind të aksioneve të tjera Koviljka Lonçar. Gazeta nuk ka mundur të vërë kontakte me ndonjërin prej tyre, meqë në profilin e këtij biznesi, që ndodhet në uebfaqen e ARBK-së, nuk është lënë as numër kontakti dhe as e-mail adresë.

Mbështetur në të dhënat e ARBK-së, ky biznes ka operuar me 36 njësi në gjithë Kosovën.

Një njohës i Kushtetutës i ka thënë gazetës se lënda nuk mund të konsiderohet e lejueshme.

“Paragrafi i shtatë i nenit 113 të Kushtetutës nuk lejon askënd që të paraqesë ankesë kushtetuese që për objekt të vetin ka kontrollin e kushtetutshmërisë së ligjeve dhe normave të tjera juridike”, ka thënë ky ekspert.

Gazeta ka pyetur edhe në gjykatë për lejueshmërinë e kërkesës, por përgjigjja ka munguar. Në këtë institucion nuk kanë treguar as se brenda çfarë kohe do të vendoset për rastin.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme