I rrëmbeu kuletën nga çanta një kalimtareje, caktohet masa e paraburgimit ndaj një personi në Prizren

Prishtinë | 12 Kor 2021 | 16:23 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Themelore në Prizren, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje tridhjetë (30) ditë, e cila do të llogaritet prej kohës së arrestimit 11.07.2021 dhe mund të zgjasë deri më datën 11.08.2021, ndaj të pandehurit L.D., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale vjedhje nga neni 313 par. 1 të Kodit Penal të Kosovës.

Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit ndaj të pandehurit L.D., ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar:

“Me datë 11 korrik, në orët e mbrëmjes, në Prizren, i pandehuri me dashje personit tjetër ia merr pasurinë, me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm për vete apo për personin tjetër, në atë mënyrë derisa e dëmtuara ka qenë duke ecur në këmbë ka vërejtur se një person i veshur me rroba të zeza, e futë dorën në çantën e saj të krahut dhe nga çanta e merr portofolin me të holla, një telefon, dhe i pandehuri L.D., ik me shpejtësi nga vendi i ngjarjes ndërsa kalimtarët e rastit arrijnë që ta ndalin të pandehurin dhe ta raportojnë rastin në polici”.

Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.

Gjyqtari i procedurës, ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet për caktimin e paraburgimit, duke pasur parasysh rrezikshmërinë e veprës penale e cila është në ngarkim të të pandehurit, si dhe duke pasur parasysh peshën e veprës penale, mënyrën dhe rrethanat në të cilën është kryer vepra penale, i pandehuri veprën penale e ka kryer në dëm të vlerave të shoqërisë.

Nga të lartë cekurat, si dhe duke marrë parasysh karakteristikat personale të të pandehurit, sjelljet e tij në vend publik, dhe mënyrën e kryerjes së veprës penale, të gjitha këto arsyetojnë masën e paraburgimit si të domosdoshme për sigurimin e prezencën së të pandehurit dhe të evitohet rreziku i përsëritjes së veprës penale.

Të ngjashme