IAP: Gjendja e fëmijëve me aftësi të kufizuara e rëndë

Prishtinë | 20 Jan 2017 | 13:15 | Nga

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, ka shprehur shqetësimin lidhur me rrezikimin e mbylljes së qendrave joqeveritare që merren me ofrimin e shërbimeve sociale të bazuara në komunitet, për fëmijët me aftësi të kufizuara.

Ai dje pasdite, ka vizituar organizatën joqeveritare  (OJQ) “PEMA” dhe është takuar me përfaqësuesit e saj, me qëllim të informimit lidhur me vështirësitë dhe situatën aktuale me të cilat ballafaqohet kjo OJQ.

Organizata në fjalë, e cila është licencuar nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, aktivitetet e saja në ofrimin e shërbimeve sociale të bazuara në komunitet, për fëmijët me aftësi të kufizuara, i ka zhvilluar  nëpërmes qendrave të kujdesit ditor, në komunën e Ferizajt, Pejës, Gjilanit dhe Prizrenit, deri në fund të vitit 2016, në të cilat 350 fëmijë kanë qenë ndjekës të rregullt.

Përfaqësuesit e OJQ “PEMA” e informuan Avokatin e Popullit se për shkak të vështirësive financiare këto qendra rrezikojnë të mbyllen dhe si rezultat i kësaj fëmijët me aftësi të kufizuara nuk do të mund të vazhdojnë të përfitojnë nga shërbimet multi-disiplinare dhe multi-sektoriale, të cilat u janë ofruar deri në fund të vitit 2016.

“Avokati i Popullit ka shpreh shqetësimin e tij lidhur me mbylljen e këtyre qendrave dhe përveç të tjerash deklaroi se gjendja e fëmijëve me aftësi të kufizuara në Kosovë është e rëndë. Fëmijët me aftësi të kufizuara përballen me vështirësi dhe barriera të shumta në të gjitha fushat e jetës, përfshirë këtu gëzimin e së drejtës për shërbime sociale varësisht nga nevojat”, thuhet në njoftimin e IAP-së, raporton Ekonomia Online.

“Në fushën e arsimit, përkatësisht, në shkollë, përballen edhe me infrastrukturë joadekuate shkollore, mungesë të asistentëve personal, mësuesve mbështetës e shumë herë edhe të planeve individuale arsimore, gjë që u mohon atyre gëzimin e plotë të së drejtës për arsim cilësor, gjithëpërfshirës, ashtu si është përcaktuar me ligj.”

“Në fushën e shëndetësisë hasin në vështirësi edhe sa i përket realizimit të së drejtës për shërbime shëndetësore cilësore dhe pa pagesë ngase jo gjithherë kanë mundësi të sigurojnë barnat falas dhe pajisje të tjera që do u mundësonin përmirësimin e shëndetit, lëvizjen e lirë dhe jetën me dinjitet.”

“Përfshirja dhe sigurimi i shërbimeve sociale në komunitet  për këta fëmijë gjithashtu është i mangët, për shkak të numrit të pamjaftueshëm të qendrave ditore. Aq më tepër në fillimin e këtij viti situata në ofrimin e shërbimeve sociale në komunitet si duket vetëm se është përkeqësuar ngase këto qendra janë mbyllur për shkak të mungesës së mbështetjes financiare”, thuhet në njoftim.

Fëmijët që kanë marrë shërbime në këto qendra ditore, nuk do t’i gëzojnë më tutje ato, nëse autoritetet komunale nuk ndërmarrin veprimet adekuate në këtë drejtim, që ato të mund të vazhdojnë punën.

Prandaj, Avokati i Popullit fton autoritetet qendrore, komunale, por edhe të tjerët që mund të ndihmojnë në këtë aspekt, që këtyre qendrave t’u ofrojnë mbështetjen e nevojshme, përfshirë këtu      edhe atë financiare, që ato të vazhdojnë punën dhe fëmijëve t’u ofrohet ndihma dhe shërbimet përkatëse sociale në mënyrë që atyre t’u sigurohet integrimi shoqëror dhe realizimi i të drejtave në pajtim me standardet ligjore vendore e ndërkombëtare.

 

 

 

Të ngjashme