Ibishi: Në rastin e policëve të zhdukur, mendoj që ka lëshime procedurale

Prishtinë | 02 Maj 2018 | 18:39 | Nga

Eksperti i fushës së sigurisë, Nuredin Ibishi, ka thënë se e ka përcjellë me shqetësim rastin e zhdukjes së dy policëve që pas aksidentit në magjistralen Kaçanik-Hani i Elezit të shtunën mbrëma dyshohet se përfunduan në lumin Lepenc.

Ibishi që dikur ishte edhe vetë zhytës, ka deklaruar se ky rast mbetet një enigmë.

“Jam marrë dikur me këtë veprimtari – kërkim shëptim në mal dhe ujë. Kam qenë edhe zhytës”.

“Është dita e katërt nga kjo fazë e kërkimit dhe fatkeqësisht pa rezultat. Mbetet engimatike zhdukja e dy policëve”.

Ibishi në Info Magazine të Klan Kosovës ka thënë se beson se në gjithë këtë rast, mund të ketë pasur lëshime në procedura.

“Mendoj që ndoshta ka lëshime procedurale dhe në kuptim të sigurisë së vendit të ngjarjes, qasje të personave të paautorizuar ashtu si edhe aspekte të tjera”.

“Prej vendit ku supozohet se ka ndodhur aksidenti deri te momenti ku supozohet se automjeti është zhytur në ujë me dy policët – gjithë kjo pjesë është dashur të sigurohet”.

“Krejt kjo pjesë është dashur të sigurohet me qëllim të kërkimeve teknike, operative- kriminalistike me qëllim të kërkimit eventual mos nuk ka të bëjë vetëm me aksident të trafikut”.

“Pasi fiksohen gjurmët në vendin e ngjarjes, fillon pjesa dinamike e kërkim-shpëtimit”.

“Nuk mund të them me siguri por kam parë se ka një shpërputhje, një përzierje të kompetencave apo edhe ndërhyrje në gjurmë që janë domethënëse për hetimet e mëvonshme”.

Ibishi që është ekspert i fushës së sigurisë ka përmendur procedurat që duhet ndjekur në raste të tilla.

“Faza e parë është sigurimi i vendit të ngjarjes, fiksimi i gjurmëve nga ekipet kriminalistike, pastaj bëhet plan operativ si do të bëhet kërkim shpëtimi duke ftuar ekipet për kërkim -shpëtim nga FSK-ja ose edhe ekipe të tjera shtesë”.

“Plani për kërkim-shpëtim në pjesën tokësore dhe më pas vjen pjesa ujore që është më specifike dhe duhet të bëhet nga ekipe specialistike”.

“Di nga shumë raste kur kam menaxhuar edhe vetë me ekipet për kërkim-shpëtim, edhe në ujë edhe në male, bëhet plane si kërkohen trupat”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme