Ibrahimi: Hovenier në Reçak donte të tregonte se kush është miku i vërtetë i Kosovës

Prishtinë | 17 Jan 2022 | 19:25 | Nga Ekonomia Online

Analisti i çështjeve politike, Ilir Ibrahimi, ka folur për përvjetorin e 23-të të Masakrës së Reçakut dhe pjesëmarrjen e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, në ceremoninë përkujtimore.

Ai tha se me pjesëmarrjen e tij në Reçak, Hovenier donte t’i tregonte opinionit kosovar se kush është miku i vërtetë i Kosovës, teksa shtoi se ishte deklarata e Walkerit ajo që bëri kthesën e madhe për bashkësinë ndërkombëtarë.

“Është një qëndrim i rikonfirmuar i Ambasadës Amerikane dhe SHBA-së rreth kësaj çështjeje, që e ka sjellë edhe inkuadrimin e NATO-s në këtë konflikt”.

“Nuk pres që do të ketë presion të shtuar ndaj Serbisë, sepse siç e ceka edhe më herët ky është qëndrim i ditur i SHBA-së, ne duhet ta shohim simbolikën se pse e patëm prezencën e ambasadorit të SHBA-së këtë herë dhe nuk e shoh si mesazh ndaj Serbisë sa një mesazh popullit të Kosovës”, është shprehur Ibrahimi në “Info Magazine” në Klan Kosova.

Kurse, sa i përket çështjes së referendumit të Serbisë, Ibrahimi tha se këtë duhet ta shohin nga dy kënde, ku tha se duhet menduar mirë nëse i del kundër një kërkese të vendeve të QUINT-it.

“Nëse e shohim nga këndvështrimi i Facebookut, atëherë Kosova ka bërë një hap shumë të madh, e ka treguar krenarinë e vet, e ka treguar të gjithë atë që duhet t’u tregosh fansave në Facebook”.

“Por, të dalësh kaq fuqishëm kundër një kërkese të vendeve të QUINT-it, duhet menduar shumë mirë përpara se të bësh një gjë të tillë”, është shprehur Ibrahimi.

Më tej ai tha se Kosova nuk i tha jo Serbisë, por i tha jo kërkesës së vendeve të QUINT-it, dhe sipas tij, Kosova nuk u ka mundësuar qytetarëve serbë që kanë dyshtetësi të marrin pjesë në votim.

“Mos të harrojmë se vetë shpallja e pavarësisë së Kosovës ka qenë një kompromis shumë i madh i bashkësisë ndërkombëtare për të arritur për t’i bindur të gjitha këto shtete për ta shpallur pavarësinë dhe për ta njohur më pas”, ka thënë ai.

Të ngjashme