Ideja e bashkimit të Luginës së Preshevës me Kosovën e heshtur, por e gjallë

Prishtinë | 27 Dhj 2018 | 10:22 | Nga Ekonomia Online

Presidenti Hashim Thaçi gjatë verës i kishte pothuajse të përditshme konferencat.

Por këto paraqitje të të parit të vendit ku përmendej ideja e korrigjimit të kufirit me Serbinë, që pretendonte ta përfshinte bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën janë rralluar.

Kështu ka ndodhur edhe me ftesat për takime të përbashkëta me përfaqësuesit politikë nga Presheva, Medvegja e Bujanoci.

Takimet janë rralluar, por kontaktet janë shpeshtuar.

Këtë e konfirmon për klankosova.tv, kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare , Ragmi Mustafa.

“Sigurisht se komunikimet me Presidentin, e sidomos stafin e tij janë të vazhdueshme. Nuk ka asnjë ndryshim në qëndrimin e Presidentit rreth Luginës së Preshevës sepse këtë e ka bekim kombëtar e gjithashtu të SHBA-ve madje dhe autoriteteve të BE-së në Brukselin zyrtar. Gjerë tani, nuk ka ndonjë devijim të mundshëm në çështjen e bashkimit të Luginës së Preshevës por vetëm mënyrë të qasjes në këtë proces shumë të rëndësishëm kombëtar”.

Sipas tij, muajt e fundit kjo çështje është përmendur më pak, por për të rëndësi ka, që siç shprehet, është në agjendë dhe për këtë meritorë sipas tij janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Është e vërtetë se dy tre muajt e fundit nuk përmendet po aq sa dy tre muajt e parë, por nuk do të thotë se kjo çështje është harruar. Ka pasur shumë zëra pro, por po aq edhe kundër sidomos nga partitë politike por edhe shoqëria civile në Republikën e Kosovës. Me rëndësi të madhe është se Lugina e Preshevës ka hyrë në agjendë të zgjidhjes përfundimtare politike mes shqiptarëve e serbëve. Futjen e Luginës së Preshevës në këtë agjendë e mundësuan SHBA-të nëpërmes artikuluesit besnik të tyre presidentit Hashim Thaçi”, është shprehur Mustafa.

Ndaj një çështje sikur kjo, kur mbrapa qëndron SHBA-ja, ish-kryetari i Preshevës thekson se nuk i sheh të domosdoshme takimet e shpeshta me Thaçin.

“Takimet me presidentin Thaçi kanë ndodhur në muajin korrik e gusht atëherë kur është dashur të publikohet ideja e SHBA-ve për bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovë. Tani, takime të tilla nuk ka nevojë të ndodhin aq shpesh sepse edhe ashtu NE shqiptarët e Luginës së Preshevës me deklaratën politike të 14 korrikut 2018 ia kemi besuar autoriteteve institucionale të Kosovës të merren me problemin e Luginës së Preshevës po aq sa edhe për problemin e Kosovës. Nuk konsideroj se jemi lënë pas dore në asnjë mënyrë, sepse jemi vëllezër e motra të një gjaku, një gjuhe e një kombi”.

Përpos që beson se ideja e bashkimit të Kosovës Lindore me trungun amë nuk është venitur, Mustafa shprehet se në fillim të vitit që po vjen kjo do të jetë edhe më aktuale.

“Në asnjë mënyrë nuk është zbehur çështja e Luginës së Preshevës në raport me procesin e bashkimit të saj me Republikën e Kosovës. Kujtoj se menjëherë pas festive të fundvitit dhe me hyrjen në vitin e ri 2019 do të intensifikohet çështja e Luginës së Preshevës. Këtë do e intensifikojnë akoma më shumë ekipi negociator i emëruar nga Parlamenti i Kosovës. Gjithë ata zëra që ishin kundër, skeptik dhe jo mjaftueshëm të bindur në tërë këtë proces do të insistojnë dyfishë më tepër se presidenti Thaçi për bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovë”.

Se do të ndodhë bashkimi, Mustafa nuk ka fije dyshimi pasi që për të nuk do të ndodhte asgjë e pazakontë.

“Ajo që ka qenë Kosovë po rikthehet përsëri në Kosovë. Me këtë Presheva, Medvegja e Bujanoci me shumicë shqiptare po ribashkohet me Kosovën. Tek e fundit, këtë dënim duhet të paguajë Serbia për gjithë atë gjenocid që kreu viteve 1998-1999 në Kosovë madje dhe në Luginë të Preshevës ndaj qytetarëve të pambrojtur”.

“Ne nuk jemi faktori që vendos rreth shkëmbimit të territoreve mes Serbisë e Kosovës. Për këto çështje vendosin autoritetet e Prishtinës zyrtare. Ne besojmë shumë se institucionet e Kosovës kanë njerëz të dijes, të shkencës e kombëtar si dhe trima atdhetarë që do të dinë e munden në momente kompromisi të gjejnë zgjidhjen më të mirë. Një mund të them se zgjidhje më të mirë të mundshme nuk ka se sa bashkimi i vendbanimeve me shumicë shqiptare të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit! Nga ana tjetër, a ka më të mirë në këtë botë se çlirimi i shqiptarëve të Luginës së Preshevës nga okupimi serb”.

Për deputetin e vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Fatmir Hasani, marrëveshjen Kosovë-Serbi tash e kërkon koha.

Sa i përket idesë së korrigjimit të kufirit që do të përfshinte edhe bashkimin e Luginës me Kosovën, ai shprehet: “Bashkësia ndërkombëtare nuk e duron këtë status-quo pa fund por edhe për këto dy shtete është vështirë. A më mirë me një “Republika Sërpska” në veri të Kosovës apo të me shkëputet përgjithmonë një armik shekullor? Mandej Kosova nuk po ia jep veriun serbëve po as nuk po ja japin ata shqiptarëve veriun. A e ka shtri Kosova juridiksionin e vet në veri? Jo. Të shfrytëzohet ky rast është strategji e hatashme,Thaçi po del vizionar i madh”.

Edhe Hasani ka thënë për klankosova.tv se vetëm takime publike mes tyre dhe liderëve nga Kosova nuk ka pasur, por se kontakte janë mbajtur si me përfaqësues të Qeverisë ashtu edhe me ata të Presidencës.

Sipas tij, plani i korrigjimit të kufirit ka dy autorë.

“Nuk mendoj se zvogëlimi i intensitetit të takimeve për planin Thaçi – Vuçiq ka ndonjë qëllim të stagnimit apo lënie anash të këtij plani. Unë shoh zhvillim të këtij plani në të dy gaborret. Si sinjal janë aktiviteti i kryetarit të Mitrovicës, Agim Bahtiri dhe caktimi i grupit negociator të votuar në kuvend për Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti kurse në Serbi po punohet në sensibilizimin e opinionit për bindje që është humb Kosova me plot shembuj medial (ata kanë përkrahje amerikane, po të dojë BE i urdhëron për heqjen e taksës 100%)”.

Për të ata që e kundërshtojnë këtë ide, Hasani pohon se do të humbin politikisht, por megjithatë situatën e quan të vështirë.

“Të gjithë këta që po flasin kundër kësaj ideje do të ngelin në politikë, do të marrin nota të dobët. Nuk kanë  faj se problemi është i ndërlikuar dhe duhet bërë regjistrim dhe parashikim edhe për 20 vitet e ardhshme. E për secilin kjo kombinatorikë është e vështirë. Kjo do të ndodhë brenda disa muajsh dhe janë pjek kushtet dhe po bëhen përgatitjet”.

“Bashkimi i Luginës po bëhet për të kompensuar dëmin për Kosovën edhe duhet Kosova të na bëjë ‘temena’ që po ia zvogëlojmë dëmin. Rrethanat janë të atilla që të shfrytëzohet ky moment sepse mandej bëhet vonë”.

Ndërkaq, ish- kryetari i Këshillit Kombëtar, Shukri Ymeri, mban shpresë se në bisedimet Kosovë-Serbi, ideja e bashkimit të Luginës me Kosovën mund të ndodhë nëse pala kosovare e vendos atë në tavolinë, sipas tij për t’u mbrojtur nga krijimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe me kompetenca ekzekutive.

Ymeri ka thënë për klankosova.tv se është ngjallur shpresa për bashkim.

Ai njëherësh ka drejtuar kritika ndaj institucioneve në Kosovë që nuk po e mbështetin këtë opsion.

“Me plot përgjegjësi e them se vetëm kjo ide shpëton këtë tokë shqiptare. Kërkesa e këshilltarëve shqiptarë e 14 Korrikut 2018 drejtuar institucioneve të Kosovës dhe mosgatishmëria e tyre për mbështetje të kësaj kërkese legjitime e kuptojmë si heshtje dhe kundërshtim të kërkesës sonë dhe gjithë kjo normal na çon në të përmendurit e rrallë të kësaj ideje”.

“Takimet tona me Presidentin Thaçi lidhur me idenë e korrigjimit edhe pse tani janë të rralla përsëri mendojmë se ai nuk ka ndërruar mendje në këtë drejtim, por se nuk ka gjetur mbështetjen e institucioneve tjera vendore andaj dalëngadalë kjo ide do të zbehet. Duke përcjellë bisedimet Prishtinë-Beograd dhe mosgatishmërinë e institucioneve të Kosovës të dialogohet për korrigjimin ne thellë jemi të bindur se Kosova do të humbë edhe Luginën  dhe do të fitoj “Zajednicën” në veri e më vonë një  “Republika Srpska”

Ymeri i cili ka qenë pjesë e takimeve që i inicionte Thaçi, thekson se Kosova qoftë edhe me çmim të lartë duhet ta realizojë bashkimin me tokat e veta në lindje.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme