“Ideja për ndryshimin e kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është ende në tavolinë”

Prishtinë | 13 Tet 2018 | 12:07 | Nga Ekonomia Online

Eksperti britanik, James Ker-Lindsay, i cili është edhe profesor në ‘London School’ për çështje ekonomike dhe politikë, ka thënë se ideja për ndryshimin e kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë vazhdon të mbetet në tavolinë, transmeton Gazeta Express.

Sipas tij, BE-ja i pranon dy gjëra të rëndësishme- se raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet normalizuar dhe se sa më shpejtë që të ndodh kjo do të jetë më mirë për të dyja palët.

Ai gjithashtu ka vënë në pikëpyetje nëse të dy palët janë të afta për të arritur një marrëveshje.

“Gjithmonë kam besuar se një  marrëveshje territoriale është zgjidhja më logjike për çështjen e Kosovës”, ka theksuar ai.

Siç ka potencuar ai, arritja e një marrëveshje ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit do të jetë një hap i madh për stabilitetin e rajonit.

“Në qoftë se situata është menaxhuar si duhet, kjo do të ndihmonte në stabilizimin e Ballkanit Perëndimor, dhe do të hapte rrugë për integrim sa më të shpejtë për anëtarësim në BE, edhe për Prishtinën edhe për Beogradin”, ka potencuar Ker-Lindsay për mediumin serb “Blic”.

Të ngjashme