“Ideja për shkëmbim territoresh fatale për Kosovën, qëndrimi i SHBA-së të na zgjojë nga gjumi”

Prishtinë | 28 Gus 2018 | 18:51 | Nga

Anëtari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, i cili ka lindur në Luginën e Preshevës, Rexhep Ismajli, thotë se Kushtetuta e Republikës së Kosovës, e ndalon çfarëdo copëtimi të territorit të Kosovës apo shkëmbimi të territorit të shtetit me ndonjë shtet tjetër. Në një përgjigje me shkrim për Gazetën Express, Ismajli potencon se ideja e shkëmbimit të territoreve është jashtëzakonisht e rrezikshme për Kosovën dhe për të ardhmen e vendit. Deklarimet e SHBA-ve rreth shkëmbimit të territoreve, akademik Ismajli thotë se duhet ta zgjojnë nga gjumi Kosovën.

Rexhep Ismajli konsideron se është krijuar një mjegull totale edhe sa i përket idesë për shkëmbimin e territoreve, duke e lënë në mjegull atë se kush, çfarë po shkëmben.
“Nuk e kam shumë të qartë se ç’domethënë ‘shkëmbim i territoreve’ konkretisht, sepse kjo nuk është elaboruar askund. Çka po shkëmbejmë: një diçka ‘të tyre’ me një diçka ‘tonën’? Kush po shkëmben? A janë të barabartë shkëmbyesit? A e njohin njëri tjetrin si të tillë? Nga ajo që po shohim në mjetet e informimit, sepse vetëm ato kemi në dispozicion, ka një kakofoni të përgjithshme lidhur me të gjitha çështjet që janë hedhur ‘në diskutim’. Për të pasur një qëndrim ne si opinion do të duhej të kishim qoftë edhe vetëm një mendim të formësuar nga një instancë e shtetit tonë (pra, një qendër për strategji, një instancë qeveritare, etj.). Hëpërhë kemi Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e cila ndalon shprehimisht çdo ndarje të territorit të Republikës së Kosovës, çdo dhënie të një pjese për bashkim me shtet tjetër dhe çdo marrje të një territori të një shteti tjetër për ta bashkuar me tonin. Si qytetarë kemi këtë bazë, që mbrohet dhe nga instancat ligjore”, ka thënë ai për Gazetën Express.
Ai ngre shqetësime rreth asaj se si do të ndodh një shkëmbim i mundshëm i territoreve, duke shtuar se nëse nuk do të shkëmbehej Lugina e Preshevës si një tërësi atëherë do të ndodhte një ndarje e mëtejme që do të paralizonte Medvegjën dhe Bujanocin.
“Nga ana tjetër, është thënë dhe po thuhet se duhet të shkëmbehet Lugina e Preshevës me diçka në Kosovë (më shpesh përmenden 4 komunat në veri). Llogaria elementare do të duhej të na tregonte a janë të barabarta ato. Edhe më shumë, a do të merreshin komunat e Luginës Preshevë, Bujanoc e Medvegje në tërësi, apo do të bëhej një ndarje e mëtejme, duke lënë përtej hekurudhën e nyjet e komunikimit në Preshevë e Bujanoc, duke e shndërruar kështu atë zonë në një zorrë qorre, duke e copëzuar dhe zhbërë përfundimisht? Në anën tjetër, çka do t’i merrej Kosovës si vlerë dhe pse ndonjë pjesë e saj po shpallet qysh tash si diçka që mund të jepet? Më në fund, a ka mundësi dhe a duhet të bëhen shtete etnikisht të pastra?”, shprehet ai.
Mungesa e një projekti konkret lidhur me idenë e shumë përfolur për shkëmbim territoresh, për Ismajlin është një rrezik përmasat e të cilit nuk dihen.
“Republika e Kosovës ka pasur një sukses të madh në rrugën e saj të stabilizimit ndërkombëtar dhe ia ka dalë të sigurojë 116 njohjet në kufijtë që ka (që kanë qenë të vlefshëm para vitit 1989). Në këto përmasa i ka përcaktuar kufijtë me Republikën e Maqedonisë, me Republikën e Malit të Zi dhe me Republikën e Shqipërisë. Mbi këto baza funksionon edhe kufiri me Republikën e Serbisë, edhe pse ajo e quan gjithnjë kufi administrativ. Ka dy-tre vjet, ose edhe pak më herët (ndoshta me fillimin e dialogut me Serbinë) ka pasur një stagnim të njohjeve ndërkombëtare. ‘Rishikimi’ i kufijve me shtetet që na kanë njohur si Maqedonia, Mali i Zi, Shqipëria mund të ishte një proces midis të barabartësh, ndërsa ‘rishikimi’ i kufijve me Serbinë, e cila në Kushtetutën e saj Kosovën e sheh si pjesë të pandashme të territorit të Republikës së Serbisë mund të sillte për ne pasoja të rrezikshme: ndalimin e procesit të njohjeve, orientimin e vëmendjes së atyre që na kanë njohur në drejtime të tjera nga rruga që kanë ndjekur deri tash, emetimin e sinjaleve shumë të rrezikshme për të ardhmen e vendit. Kuptohet, të gjitha këto vlejnë sa kohë që nuk po shohim asgjë të qartë prej projekteve të tilla dhe nuk jemi në gjendje t’i dimë përmasat e vërteta të këtij rreziku”, shprehet ai.
Ismajli thotë se gjithmonë ka munguar kujdesi ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës, dhe një shkëmbim i mundshëm territoresh do të kishte një ndikim jashtëzakonisht negativ edhe për shqiptarët që jetojnë në pjesën e kufirit të Maqedonisë, e të cilët i kanë ruajtur gjithmonë lidhjet me shqiptarët e Luginës.
“Kush ka lexuar sadopak për të kaluarën, nuk duhet të mos e shohë se Serbia si shtet po ndjek vijën e depërtimit drejt jugut tash dy shekuj: më 1878 i zgjeroi kufijtë deri në Ristovc (afër Vranjës), ndërsa prej hapësirës përtej shpërnguli qindra fshatra shqiptare, përfshirë popullatën shqiptare të Vranjës në jug të atij kufiri për të krijuar hapësira të mëdha me ‘muhaxhirë’ në tërë Kosovën, po edhe në Preshevë, në Maqedoni e në Turqinë evropiane e tjetër. Pas 1912 mori tërë Maqedoninë dhe nga e gjithë kjo hapësirë shpërnguli jo pak në Turqi (në Lyleburgas sot gjallon ende një Preshevë e tërë), në Shkup e Kosovë, në Zvicër a Gjermani, por ajo që nga të huajt (për t’i dhënë një legjitimitet) u quajt ‘Lugina e Preshevës’ deri sot qëndroi. Asnjëherë nuk u shtrua seriozisht kërkesa me mbështetje të mjaftueshme kombëtare e ndërkombëtare që ai popull të mbahej aty dhe t’i gëzonte të gjitha të drejtat e zhvillimit normal të potencialeve të veta, përfshirë dhe të drejtën e mosndarjes nga tërësia etnografiko-gjeografike, kulturore e kombëtare (Lugina e Preshevës kufizohet me Kosovën, me pjesët shqiptare të Maqedonisë, me Serbinë dhe në një pjesë që, si shumë pak e banuar arrin deri te kufiri me Bullgarinë). Mbijetesa e saj është e lidhur ngushtë me nyjat e komunikimit (hekur­udha dhe autostrada), po edhe me kontaktin e papenguar me Kosovën dhe Maqedoninë. E tërë kjo mund të ketë pasoja dhe për shqiptarët e Maqedonisë nga kufiri e deri në Shkup, që përbëjnë një tërësi etnogjeografike rreth Karadakut, e që edhe pas pavarësimit të Maqedonisë i kanë ruajtur kontaktet dhe shkëmbimet me këtë popullatë. Kemi të bëjmë, pra, me një çështje që u përket të gjithë shqiptarëve (shteteve – të Kosovës, të Shqipërisë, shqiptarëve të Maqedonisë, për aq sa kanë shtet të vetin atje, po edhe shqiptarëve të Malit të Zi)”, konkludon akademik
Islamaj.
Anëtari i ASHAK-ut, thotë se përveç faktit që Serbia po tenton ta paraqesë Kosovën si një vend jostabil, është duke bërë përpjekje që ta legjitimojë dhe ‘Republika Srpskan’, dhe po synon ta realizojë planin e Qosiq për shpërngulje masive të popujve që do sillte një gjenocid të ri dhe do të ishte fatal për Kosovën.
“Mendoj se Serbia përmes një procesi të këtillë po synon të arrijë disa qëllime. Në një anë synon (për aq sa po mund të dëgjojmë në opinion) ta bëjë publikisht të pranueshëm opinionin e saj se Kosova nuk është shtet i themeluar si duhet, pra, ta problematizojë atë. Në këtë proces ajo synon të marrë sa më shumë nga begatitë e Kosovës. Në të njëjtën kohë ajo do ta bëjë legjitim synimin e saj dhe të Republika Srpska-s për bashkim, çka në fakt do të ishte dobia më e madhe për ata që synojnë Serbinë e Madhe. Kuptohet, po synon përmbushjen e kushtit për integrim evropian. Më tej ajo po mëton ta realizojë atë që Qosiq e të tjerë e kanë artikuluar ka kohë e që në gjuhën e tyre e kanë quajtur ‘razgraničenje s Albancima’. Kush e di historikun e shpërkufizimeve të tilla në Ballkanin e sh. 20 e ka të qartë se kjo do të shoqërohet me shpërngulje popullatash, veprime gjenocidale, fatkeqësi të reja. Kush do ta pësonte më shumë në një proces të tillë? Po sigurisht ai që është më i dobët, në radhë parë më i dobët si shtet”, shton ai.
Deklarata e ShBA-së se ata nuk do të ndërhyjnë në rast të marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për shkëmbim territoresh, shihet me mjaft shqetësim nga Islamaj dhe thotë se kjo gjë duhet ta këndell Kosovën nga gjumi.
“Për qëndrimet dhe deklaratat e zyrtarëve të ndryshëm ne po informohemi vetëm pjesërisht, aq sa po na serviret. SHBA është shteti më i rëndësishëm dhe ndër të parët fare që e ka njohur Republikën e Kosovës (për më tepër, e ka ndihmuar rritjen dhe pavarësimin e saj), dhe e ka njohur në kufijtë që ka ajo sot. Dhjetë vjet pas shpalljes së pavarësisë është detyrë e jona që t’u japim miqve mundësinë që të na mbështesin edhe më tej. Deklaratat që po përmendni duhet të na shpërgjumin në punën tonë. Nuk po shohim veprimtari koherente, të organizuara të subjekteve politike që sundojnë skenën tek ne, sado që ato subjekte duhet të jenë shumë më të informuara se ne si qytetarë për gjendjen, prapavijat dhe lojërat që ushqejnë ‘pazaret’, siç po thuhet në opinion”, ka përfunduar ai.
Ideja e shkëmbimit të territoreve fillimisht është prezantuar nga presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i cili në çfarëdo forme është munduar ta arsyetojë këtë ide, madje duke e cituar edhe ish-presidentin Ibrahim Rugova.Kjo ide e tij nuk ka gjetur përkrahje tek faktori politik në vend.
Kryeministri Haradinaj madje ka thënë që një ide e tillë dërgon në luftë dhe nëse vërtet Thaçi mendon për shkëmbim territoresh atëherë Kosova ka një problem të madh.
Ka qenë qëndrimi i këshilltarit të Donald Trump, John Bolton, që ka befasuar të gjithë, duke thënë se ShBA nuk do të ndërhyjnë nëse Kosova dhe Serbia merren vesh për shkëmbim territoresh.Ndërkohë kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka dalë kundër prekjes së kufijve në Ballkanin Perëndimor.
E kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç, ka thënë se prekja e kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e hap kutinë e Pandores./GazetaExpress/
Fjalë Kryesore:

Të ngjashme