IFIMES: Gjukanoviqi, së shpejti dëshmitar i mbrojtjes së Thaçit

Prishtinë | 16 Gus 2020 | 17:29 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, së shpejti mund të shkojë në Hagë, si dëshmitar i mbrojtjes së presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, ndaj të cilit është ngritur aktakuzë në Speciale, sipas burimeve ndërkombëtare të Institutit Ndërkombëtar për Studime Ballkanike dhe të Lindjes së Afërt (IFIMES) me seli në Lubjanë.

Këto burime, institutit lubjanas i kanë thënë se e kanë një informatë të tillë, teksa kanë rikujtuar se Gjukanoviqi pritej të ishte dëshmitar i mbrojtjes edhe i njërit prej zyrtarëve më të lartë nga Serbia para Tribunalit të Hagës, por se ai e kishte kërcënuar familjen e të akuzuarit, që më vonë kishte hequr dorë nga kërkesa për dëshminë e presidentit malazez.

Në analizën e titulluar, “Fundi i epokës së Milo Gjukanoviqit”, IFIMES rrjedhimisht e quan të arsyeshme pyetjen nëse të njëjtën do ta bëjë edhe në rastin e Thaçit, raporton Koha.

Analiza e IFIMES-it trajton situatën para zgjedhjeve në Mal të Zi.

“Gjukanoviq ka interesa kriminale dhe çfarëdo veprimi që ka për qëllim forcimin e lidhjeve në rajon, si ‘mini Schengeni’, që paraqet nismën më të rëndësishme rajonale të 30 vjetëve të kaluar, ndodhet në cak të një regjimi të tillë. Për shtetet, që janë të dobëta për arsye të ndryshme, apo edhe të korruptuara, atyre nuk iu konvenon mirëqenia ekonomike, pasi që me integrimin ekonomik nis edhe sundimi i ligjit, të cilin regjimi po e pengon. Ekonomia e dobët në Mal të Zi si dhe korrupsioni janë shembujt më të mirë”, vlerëson IFIMES.

Sipas këtij instituti, informatat që Gjukanoviqi tashmë është në negociata për “shitjen e pronave të tij tregon se po mundohet ta ruajë pronën e fituar në mënyrë të paligjshme”.

“Nuk duhet përjashtuar as mundësinë e azilit politik për Milo Gjukanoviqin, në mënyrë që ai t’u shmanget proceseve gjyqësore dhe tashmë po shqyrtohen dy shtete për mundësinë e një azili të tillë”, shkruan IFIMES.

Të ngjashme