IKShP: Vlojeni ujin para se ta pini

Prishtinë | 10 Nën 2016 | 14:20 | Nga

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKShP) në vendet e vërshuara rekomandon vlim të ujit të puseve për pije para përdorimit. Uji për pije i puseve në vendet e vërshuara nga reshjet intensive në Kosovë sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike nuk duhet të pihet pa u vluar në 100 gradë celsius për së paku 10 minuta.

“Uji i puseve në vendbanimet e vërshuara është ndotur nga plehrat dhe materiet fekale andaj nuk mund të përdoret si i tillë për pije”, thuhet në komunikatën e këtij instituti.

Megjithatë, i kontaktuar nga KALLXO.com drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani, gjendjen e ujit për pije të sistemeve publike të ujësjellësve e konsideroi brenda standardeve të lejuara.

“Akoma nuk kemi informatë për ndonjë dyshim, është në rregull”, tha Ramadani për ujin e pijes.

Edhe në komunikatën e lëshuar nga instituti thuhet se nga monitorimi i cilësisë së ujit, ai është i pijshëm.

“Duke u bazuar në rezultatet e monitorimit të ujit për pije të dhënat laboratorike për parametrat bakteriologjikë dhe kimikë deri sot rezultojnë brenda standardeve të parapara me rregulloret për cilësinë e ujit për pije”, thuhet në komunikatë.

Megjithatë, instituti rekomandon kompanitë e ujësjellësve në Kosovë që sidomos nëpër viset rurale dhe ato të vërshuara të furnizojnë banorët me ujë higjienik për pije dhe përgatitje të ushqimit.

“Për shkak të reshjeve, Instituti rekomandon që të bëhet sigurimi i ujit higjienik për pije i ofruar nga cisternat e kompanive ujore komunale deri në normalizimin e gjendjes në të gjitha fshatrat e vërshuara”, thuhet në komunikatë.

Instituti kërkon nga kompanitë e ujësjellësve dezinfektim më të shpeshtë të ujit në këtë kohë.

“Kompanitë ujore publike/ujësjellësit/ të përforcojnë kontrollin dhe rregullisht të dezinfektojnë ujin. Ekipet e ujësjellësve rajonalë të debllokojnë nyjet e kanalizimeve për të mos kontaminuar lagjet e vërshuara me materie fekale në të gjitha vendbanimet e vërshuara”, vijon komunikata.

Reshjet e shiut që ishin intensive dje e pardje shkaktuan vërshime dhe vështirësim qarkullimi nëpër shumë vendbanime kosovare.

Më poshtë gjeni foto nga vërshimet në komunën e Malishevës: 

vershime-malisheve5 vershime-malisheve4 vershime-malisheve3 vershime-malisheve11 vershime-malisheve6 vershime-malisheve1

Të ngjashme