IKSHPK: Ndotja e ajrit ndikon në rritjen e numrit të të sëmurëve

Prishtinë | 03 Nën 2018 | 17:25 | Nga Ekonomia Online

Si pasojë e shkallës së lartë të ndotjes së ajrit javën e fundit është rritur numri i pacientëve që kanë kërkuar trajtim mjekësor në Spitalin e Mushkërive në Prishtinë.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK) ditë më parë ka shprehur shqetësimin rreth nivelit të lartë të ndotjes së ajrit në Prishtinë dhe efektet e tij te qytetarët.

Siç thuhet në njoftim, ky institut ka vlerësuar se me ndotjen e ajrit rritet edhe numri i qytetarëve të sëmurë me sëmundje kronike.

“Efektet afatshkurta të ajërndotjes nga partikulat sipas shumë të dhënave na çojnë drejt rritjes së numrit të të sëmurëve me astmë bronkiale, bronkitet kronik, sëmundje kronike obstruktive të mushkërive te moshat e shtyra, rritjen e numrit të pranimeve spitalore nga sëmundjet kardiovaskulare dhe ato respiratore, kancer, shkurtimin e jetës dhe rritjen e shkallës së mortalitetit”, thuhet në njoftim përcjell lajmi.net.

Po ashtu në njoftim thuhet se disa nga burimet ndotëse janë: termocentralet elektrike, përdorimi i ngrohjes në sezonin e dimrit, automjetet e vjetërsuara, trafiku i dendur, si dhe ndërtimet pa plan të mirëfilltë urbanistik.

Instituti ka propozuar edhe disa masa të cilat duhet të merren për përmirësimin e nivelit të ajrit.

“Të implementohet Plani i Veprimit i nënshkruar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Implementimi i programeve kombëtare dhe projekteve të përbashkëta për fushën e ajërndotjes. Inspektorati Shëndetësor të kontrollojë raportimin ditor të sëmundjeve respiratore dhe kardiovaskulare nga të gjitha institucionet shëndetësore të kujdesit parësor, dytësor dhe tretësor, inspektoratet e mjedisit të bëjnë kontrollin rigoroz të filtrave të ajrit në termocentrale gjatë 24 orëve, kualitetit të karburanteve dhe konsumimit të lëndëve të ngurta djegëse që përdoren për ngrohje nga qytetarët”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme