IKShPK u bën thirrje qytetarëve: Vaksinohuni, Delta po përhapet shpejtë

Prishtinë | 18 Gus 2021 | 16:53 | Nga Ekonomia Online

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka vazhduar me thirrjet ndaj qytetarëve që të vaksinohen, pas rasteve të reja me COVID-19, që ditë pas dite po vazhdojnë të rriten.

“Delta varianti është shfaqur me një shpërthim rapid në shumë shtete të botës dhe në Kosovë! Bartet shumë shpejt prej një personi në dhjetëra persona tjerë me pasoja që në të shumtën e rasteve mund të jenë fatale e që fatkeqësisht preken edhe fëmijët”, ka shkruar instituti në Facebook.

“Me vaksinim do ta kalojmë valën e re nga varianti Delta me sa më pak të sëmurë e sa më pak viktima”.

IKSHP thekson se personat e pa vaksinuar janë brenga e tyre më e madhe!

Sipas IKSHP-së,vaksinimi është metoda më e mirë, më e lirë dhe me efikase në luftë kundër COVID-19.

“Vaksinimi zgjon mbrojtjen natyrore të trupit tonë për të krijuar rezistencë ndaj infeksioneve specifike dhe e fuqizon sistemin imunitar”.

Tutje, Instituti ka hedhur poshtë zërat se vaksina e shkakton virusin.

“Asnjëra vaksinë që është në përdorim në Kosovë nuk përmban virus të gjallë që shkakton COVID-19. Kjo domethënë se nuk mund të sëmureni me COVID-19 nga vaksina”.

Ky institut tha se nëse rastet e reja rriten, ato do të përcillen me shtim të hospitalizimeve, vdekjeve, mbingarkesë të sistemit shëndetësor, rikthim të kufizimeve, goditje të shëndetit mental, shkollës, ekonomisë, kulturë, artit e sportit.

Të ngjashme