Imami që thotë se iu kërkua haraç, ka një lëndë “të vjetër” për mashtrim (Dokument)

Prishtinë | 14 Gus 2018 | 16:32 | Nga

Një aktakuzë e ngritur në gusht të vitit 2013 nga Departamenti për Krime të Përgjithshme në Prokurorinë Themelore të Gjilanit për veprën penale të mashtrimit ndaj imamit Mustafa Bajrami nga kjo komunë, ende nuk ka përfunduar së trajtuari nga Gjykata Themelore në Gjilan.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Gjilanit, Jetish Maloku, i kontaktuar nga Ekonomia Online, ka  thënë u është konfirmuar pranimi i lëndës, por se nuk ka informacione pse kjo aktakuzë nuk është trajtuar nga gjykata që nga viti 2013.

“Nuk po na lejohet fort neve me komentu atë, por ajo çka është e vërtetë është se ne në lëndën tonë nuk kemi vendim të gjykatës që është trajtuar kjo lëndë. Prandaj, ne po flasim vetëm për lëndën që është te ne dhe këtu nuk ka dëshmi që është trajtuar nga gjykata jonë kompetente në Gjilan. Pse nuk është trajtuar nuk e di as vetë”, ka thënë ai.

Zyrtari për informim në Gjykatën Themelore të Gjilanit, Sabit Shkodra, ka bërë të ditur për Ekonomia Online se lëndën e Bajramit është duke e trajtuar një nga gjyqtarët e gjykatës dhe se shumë do të nxirret aktgjykimi.

Vonesat në përfundimin e kësaj lënde nga gjykata, sipas Shkodrës, janë si pasojë e kalimit të kësaj lënde nga një departament në tjetrin, mungesës së gjytarëve dhe numrit të madh të lëndëve.

“Kjo lëndë ka qenë në Departamentin e Krimeve të Rënda dhe më pas ka kaluar në Departamentin e Përgjithshëm dhe kjo ka bërë që të ketë vonesa në zgjidhjen e kësaj lënde”, ka thënë Shkodra për EO.

Sipas aktakuzës, të cilën e ka siguruar Ekonomia Online, imami Bajrami në maj të vitit 2010 dyshohet se kishte mashtruar dy persona, Mark Hansell dhe Jehona Bislimi – Hansell duke ua marrë 30 mijë euro pas arritjes së një marrëveshjeje gojore për gjoja nisjen e një biznesi.

Në aktakuzë thuhet se Bajrami ua kishte marrë shumën e lartcekur të parave për të blerë një sasi të fellneve për automjete, me qëllim që ato t’i shesë në  Gjilan dhe nga shitja e tyre fitimi do të ndaje përgjysmë.

Por, sikur thuhet në aktakuzë, Bajrami i ka shitur rreth 60-70% të fellneve në Kosovë, mirëpo të dëmtuarve nuk ua ka kthyer as paratë e investuara prej 30 mijë eurove, e as shumën e fitimin të premtuar nga shitja e fellneve prej 50%.

“Më datën 16.05.2010 në kohë të pacaktuar, në Emiratet e Bashkuara Arabe, në Duabi, i pandehuri me qëllim që vetës t’i sjellë përfitim të kundërligjshëm pasuror i ka mashtruar dhe vënë në lajthim tani të dëmtuarit Mark Hansell dhe Jehona Bislimi – Hansell, në atë mënyrë që i pandehuri Mustafë kishte lidhur marrëveshje gojore me të dëmtuarit me anë të mashtrimit i’u ka marrë 30.000 euro, për të blerë një sasi të fellneve për automjete, me qëllim që të njëjtat fellne t’i shesë në Republikën e Kosovës –  në Gjilan, dhe nga ky investim nga malli – fellnet e shitura palët e dëmtuara do të fitojnë 50% të fitimit nga shitja e mallit”, thuhet në aktakuzë.

“I pandehuri rreth 60-70% të mallit – fellnet i ka shitur në Republikën e Kosovës, mirëpo për këtë shitje të mallit, të dëmtuarve nuk ia kthen as paratë e investuara, e as shumën e fitimit të mallit të shitur prej 50%”, thuhet tutje aty.

Prokurori i Shtetit, Arben Ismajli, thotë në aktakuzë se mashtrimi është vërtetuar nga deklarata e të pandehurit, deklaratat e të dëmtuarve dhe deklaratat e dëshmitarëve, të cilat sipas Prokurorisë janë në përputhje të plotë me gjendjen faktike, si dhe provat e tjera materiale të cilat gjenden në shkresën e lëndës.

Andaj, Ismajli përmes kësaj aktakuze i ka propozuar Gjykatës Themelore që imamin Mustafë Bajrami ta shpallë fajtor dhe t’i shqiptojë atij një sanksion penal meritor të paraparë me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

Ekonomia Online ka kontaktuar me telefon me imamin Bajrami. Por, pasi e ka dëgjuar pyetjen, ai tha se nuk ka kohë të përgjigjej.

Imami Mustafa Bajrami, i cili është edhe profesor e shkencave islame, është kërcënuar para pak ditësh përmes telefonit. Policia e rajonit të Gjilanit ka konfirmuar arrestimin e personit i cili dyshohet se kërcënoi Bajramin.

Vetë imami Bajrami kishte bërë të ditur përmes një shkrimi në rrjetin social “Facebook” se kërcënimi kishte të bënte rreth një rasti haraçi.

“Ose 35,000 euro, ose koka. Ky ishte ultimatumi i deridjeshëm. Pas ndërhyrjes së një fytyre shumë e njohur publike në Kosovë (jo fytyrë politike), çmimi ka ra, por, sipas ndërmjetësuesit, gjithqysh diçka duhet paguar”, kishte shkruar Bajrami.

“I them botërisht zotëriut dhe zotërinjve të involvuar. Nuk ka forcë në këtë botë që mund të më detyrojë të bëjë diçka jashta vullnetit tim. Siç i kam quar selam mbrëmë edhe sot nga këtu i them; Pushka top iu bëftë se unë nuk frikohem. Kurrë dhe në asnjë mënyrë asnjë cent s’ka për ta marrë”, thuhej tutje në shkrimin e tij.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme