INDEP-i kërkon të reformohet sistemi i pagave në sektorin publik

Prishtinë | 22 Jan 2019 | 18:31 | Nga Ekonomia Online

Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), ka kundërshtuar rritjet kozmetike të pagave dhe ka kërkuar që të ketë reformë rrënjësore për sistem të drejtë e të balancuar të pagave dhe shpërblimeve në sektorin publik.

Ky është reagimi i INDEP:

Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), kundërshton rritjet kozmetike të pagave dhe kërkon fillimisht reformë rrënjësore për sistem të drejtë e të balancuar të pagave dhe shpërblimeve në sektorin publik.

Sistemi i pagave në sektorin publik nuk zgjidhet duke rritur pagat pa planifikim dhe duke u bazuar në premtime elektorale. Ne si organizatë e shoqërisë civile, ditë më parë kemi hartuar analizën “Pagat në Sektorin Publik në Kosovë”. Në punim ne kemi argumentuar se nevojitet një reformë rrënjësore që do të adresoj padrejtësitë e sistemit, do të unifikoj katalogun e pozitave, do të ulë hendekun e shpërblimeve dhe pagave brenda administratës dhe do të vendosë bazat për paga që rriten krahas zhvillimit ekonomik.

Koeficienti fillestar duhet të jetë i barabartë me nivelin e pagës minimale në Kosovë. Përveç që përcaktimi i pagës minimale në Kosovë varet nga parametrat ekonomik, ndërlidhja e koeficientit me pagën minimale garanton rritje të balancuar dhe të kontrolluar të pagave në sektorin publik.

Duke vënë koeficientët në mes 1 dhe 10 ne kemi përcaktuar kufijtë e dyshemesë dhe tavanit të pagesave për punonjësit e sektorit privat.

Askush në sektorin publik nuk mund të paguhet sa vlera e dhjetë herë pagës minimale në Kosovë. Përveç kësaj, ne kemi kategorizuar edhe koeficientët në bazë të specifikave të punës.

Koeficientët më të lartë do të jenë nga 7-10 dhe kanë të bëjnë me funksionet e zgjedhura me mandat. Megjithatë, këta funksionarë si deputet, ministra, këshilltarë etj., nuk mund të ushtrojnë asnjë funksion të dytë dhe çdo pagesë shtesë nga buxheti i Kosovës, përfshirë punët e dyta nuk mund të tejkalojnë vlerën e 30% të pagës së parë.

Në punimin tonë ne gjithashtu kemi njohur administratën e specializuar si kategori të veçantë. Këta, që kryesisht përbëjnë specialist të fushave nëpër rregullatorët e tregut apo pozita specifike në ndërmarrje të caktuara publike duhet të marrin deri në 30% shtesë nga paga fillestare e

përcaktuar në koeficientin 6 sipas propozimit tonë. Gjithashtu, tavani prej 30% të përfitimeve shtesë siguron që pagat sërish mbesin të balancuara me pjesën tjetër të administratës.

Ne gjithashtu konsiderojmë se nuk duhet të ketë një diferencë jo më shumë se 20% në pagë në mes të niveleve të ndryshme në sektorin publik.

Çdo e hyrë shtesë nga sektori publik përtej pagës bazë, duhet t’i nënshtrohet tavanit prej 30%.

Përveç kësaj, në qendër të reformës në sistemin e pagave është kufizimi i meditjeve dhe pagesave shtesë. Nuk mund të ketë meditje për persona të cilët udhëtimet jashtë vendit i kanë në qendër të përshkrimit të punës së tyre.

Principe tjera për të cilin ne insistojmë janë principi i drejtësisë dhe efiçiencës në sistemin e pagave.

Ne insistojmë për një katalog të unifikuar të pozitave në sektorin publik ku pavarësisht se në cilin institucion shërben, një jurist do të ketë pagë të njëjtë, apo një punëtor i mirëmbajtjes do të ketë pagë të njëjtë me kolegun që kryen të njëjtin funksion në institucionin tjetër.

Është totalisht e papranueshme që paga e një vozitësi të dallojë për dy-tre fish nga institucioni në institucion, kur në fund të ditës të dy paguhen nga i njëjti buxhet, për të njëjtën punë.

Vetëm kur të vendosen principe të qarta dhe kondita specifike në Ligjin e ri për Paga, mund të flasim për prioritizim të sektorëve dhe përcaktim të koeficientëve.

Për ne, prioriteti i një shteti zhvillimor e demokratik duhet të jenë shëndetësia, arsimi dhe shërbimi civil më tepër sesa aparatura e sistemit të dhunës si policia e ushtria. Për këtë, kërkojmë që tek pasi të realizohet komponenta e drejtësisë në vendosjen e sistemit të ketë një vendimmarrje mbi lartësinë e koeficientëve për të gjithë sektorët, bazuar në prioritetet e zhvillimit të qëndrueshëm.

Ligji për pagat është ligj për sistemin dhe jo për nivelin e pagave. Në nivelin politik, Ligji do të duhej të vënte konditat e një sistemi të pagave për një kohë të gjatë në të ardhmen. Ky sistem do të përaktonte koeficientin jo si vlerë por si princip, pozitat jo si balancë e kërkesave të grupeve të interesit por si mënyrë për të rritur efiçiencën e administratës dhe për të prioritizuar ato fusha që promovojnë mirëqenien e përgjithshme.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme