Infektologu Mehmeti: Rikthimi në normalitet i mjekimit intensiv është veprim i ngutshëm

Prishtinë | 26 Maj 2021 | 19:39 | Nga Ekonomia Online

Edhe dita e sotme ka qenë mjaft e mirë sa i përket situatës epidemiologjike në vendin tonë.

Sipas të dhënave nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, gjatë 24 orëve të fundit nuk është regjistruar asnjë viktimë si pasojë e COVID-19 dhe janë shënuar 44 raste.

Ditëve të kaluar numri i rasteve pozitive ka qenë edhe më i vogël.

E duke u bazuar në situatën epidemiologjike, disa nga Klinikat e Shërbimit, Spitalor, Klinik dhe Universitar që kanë shpërbyer si qendra për trajtimin e COVID-19, do t’i kthehen kompetencave të tyre të zakonshme të punës.

Këtë veprim po e cilëson si të ngutshëm infektologu Murat Mehmeti.

Ai në një intervistë në Info Magazine në Klan Kosova tha se sot ka pasur raste kur janë pranuar pacientë me gjendje të rëndë shëndetësore.

“Unë mendoj që ndoshta ka qenë një veprim i ngutshëm. i lëvizjes së këtyre të pacientëve por edhe kthimit në “normalitet” të mjekimit intensiv. Kjo për arsye se mendoj se është shumë herët”.

“Para pak orësh ne pranuam një pacientë në gjendje të rëndë e cila u transferua nga qyteti i Mitrovicës. Kjo paciente e cila u pranua pak më pak është një kandidate potenciale që të kalohet në mjekim intensiv. Dhe meqenëse siç e ceka se reparti intensiv i ka të mbushura kapacitetet dhe nëse është nevoja që ajo të intubohet të vendoset në repart”.

Mehmeti tha se ka edhe pacientë të tjerë që mund të bëhen për mjekim intensiv.

“Ne i kemi edhe tre pacientë që po trajtohen dhe mund të kenë nevojë për trajtim intensiv”.

Ai shtoi se është pakëz herët për të lëvizur me lehtësimin e masave kundër COVID-19

Në Klinikën Infektive aktualisht po trajtohen 30 pacientë dhe katër prej tyre janë në gjendje të rëndë.

Të ngjashme