Infrastruktura rrugore, një ndër faktorët e aksidenteve rrugore

Prishtinë | 14 Gus 2017 | 08:59 | Nga

Numri i aksidenteve rrugore, si dhe i personave të vdekur nga këto aksidente ka shënuar rritje muajt e fundit. Vetëm në muajin korrik, 17 persona kanë humbur jetën si pasojë e këtyre aksidenteve.

Ky numër i madh i aksidenteve po vlerësohet të ketë si shkaktar përveç pakujdesisë së ngasësve të veturave, edhe infrastrukturën rrugore. Mungesa e pajisjeve statike për matjen e shpejtësisë, sinjalizimit adekuat, si dhe ndriçimit në disa rrugë kryesore, po shihen si faktorë që ndikojnë në numrin e aksidenteve, shkruan sot “Koha Ditore”.

Ndërkohë, si rrjedhojë e fluksit të madh të automjeteve dhe numrit të shtuar të aksidenteve rrugore, Policia e Kosovës në fillim të këtij muaji ka krijuar një task forcë të veçantë, e cila ka për qëllim rritjen e sigurisë në rrugët e Kosovës.

Sipas Baki Kelanit, zëdhënës i Policisë së Kosovës, që prej krijimit të kësaj task force është rritur numri i pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, dhe në të njëjtën kohë është dyfishuar numri i gjobave për shkelësit e rregullave të komunikacionit. Për rezultatet e këtij plani operativ të policisë, Kelani thotë së është herët për të vlerësuar.

“Jemi duke analizuar të dhënat mbi baza ditore. Megjithatë, duhet të presim deri në fund të muajit që t’i krahasojmë të dhënat për të gjithë muajin, për të parë rezultatet përfundimtare të kësaj task force” ka thënë ai.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme