Inspeksioni i Agjencisë së Pyjeve: Të konfiskohet luani i burgosur në restaurant të Zhegrës

Prishtinë | 30 Nën 2019 | 15:45 | Nga Ekonomia Online

Luani në Zhegër të Gjilanit po vazhdon të mbahet në kafaz që nga fillimi i muajit nëntor të këtij viti edhe pse deri më tani sipas organeve kompetente rezulton të jetë i kontrabanduar.

Këtë e ka konfirmuar një punëtor i restorantit ku po mbahet kafsha.

“Po luani është këtu. Ende se kanë marrë luanin organet kompetente, Por kur të vijnë shefat unë këtë numër ua kaloj dhe fol ti me ta”, ka thënë një punëtor i këtij restauroni.

Elsa Ramadani, udhëheqëse e Fondacionit për të Drejtat e Kafshëve, poashtu ka pohuar se luani ende po vazhdon të jetë i mbyllur në kafazin e restorantit.

“Luani ende është aty ku ka qenë. Nuk mund të konfiskohet pa urdhër zyrtar të ndonjërës prej organeve të drejtësisë apo institucioneve gjegjëse për kafshë të egra dhe për importimin e kafshëve të egra, siç është Ministria e Mjedisit”, ka thënë Elsa Ramadani.

Luani, rezulton të jetë i importuar ilegalisht pasi që nuk ka certifikatë shëndetësore as certifikatë të origjinës, por as nuk ka kaluar në procedurë të rregullt në Doganat e Kosovës.

Drejtori i Inspeksionit të Pyjeve dhe Gjuetisë në Agjencinë e Pyjeve, Besim Zogaj thotë se derisa rezulton të jetë i importuar ilegalisht, kjo kafshë e egër, duhet të konfiskohet.

“Absolutisht duhet me u konfiskua, duhet me e shikua mënyrën ku me e vendosë, unë e di që Agjencioni i Veterinës ka objekte në të cilat i trajton kafshët që kalojnë në mënyrë ilegale, kontrabandë, domethënë i vendosë atu deri sa të merr në vendim çka duhet me bë me kafshë”, ka thënë ai.

Sipas Besim Zogajt, kafshët e egra që hyjnë në Kosovë pa ndonjë konfirmim prej organeve kompetente, mund ta rrezikojnë stabilitetin e kafshëve të tjera. Ai thekson se ky lloj i importimit është jashtë çdo procedure.

“Faktikisht është kafshë e cila nuk është e llogaritur në kuadër të kafshëve të cilat i trajton ligji për gjueti. Cilado qoftë ajo që hynë në Kosovë nuk mundet me hy pa kaluar përmes doganës dhe pa pasur një konfirmim prej organeve kompetentë, në këtë rast edhe të Ministrisë së Mjedisit, një lloj kafshe e egër që hynë nuk është lloj që e rrezikon stabilitetin e kafshëve të tjera andaj kjo është jashtë çdo procedure”, ka thënë ai.

Sipas tij, çështjen e luanit duhet ta trajtojë Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë por jo edhe Agjencia e Pyjeve pasiqë nuk është i përfshirë në ligjin për gjuetinë.

“Vetëm mënyrë që nuk ka kaluar përmes Doganës është kontrabandim, kontrabanda duhet me u sekuestrua duhet me u vendosë, duhet me u marrë AUV me të”.

“Nuk është kafshë e cila e ka habitatin tonë në Kosovë, ne merremi me kafshët që janë në natyrë, por nëse dikush e merr kafshën për qëllime të tjera, qëllime të kopshtit zoologjik. Organ që i licencon është Ministria e Bujqësisë, por merret inspektorati ynë”, ka thënë Zogaj.

Tutje ai ka thënë se Agjencia e Pylltarisë nuk ka marrë asnjë ftesë zyrtare për t’u marrë me luanin.

“Nuk kemi marrë ndonjë ftesë zyrtare prej institucioneve për më e marrë ekspertizën tonë për të cilën jemi përgjegjës, nuk kemi marrë zyrtarisht as prej Agjencionit të Ushqimit dhe Veterinës as nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor që e ka të vetëdijshme që asnjë kafshë nuk guxon me hy as me u lirua në natyrë pa e marrë e marrë një vlerësim prej Ministrisë së Mjedisit”, ka thënë ai.

Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, ka deklaruar se sipas të gjithave gjasave luani është kontrabanduar.

“Janë duke shqyrtua rastin. Indikacionet janë që është kontrabanduar. Zyrtarët hetues të Doganës së Kosovës kanë njoftuar Prokurorin kompetent për rastin në fjalë dhe sipas koordinimit me Prokurorin si dhe Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës, kanë vizituar vendin ku mbahet luani dhe kane konstatuar se njoftimi është i vërtetë”, ka thënë Stavileci.

Sipas tij personi që menaxhon këtë biznes ka ofruar dokumentacionin mbi identitetin e kafshës në fjalë, dokumentacion ky i cili i është nënshtruar verifikimit.

Zëdhënësi i Agjencinë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), Lamir Thaçi, ka thënë se nuk e kanë certifikatën e origjinës dhe as nuk kanë marrë leje të importit për kafshën në fjalë.

“Të shohim qysh po rrjedh tutje sepse janë të kyçura edhe institucionet e tjera. Ky Luan nuk i është nënshtruar kontrollit tonë, nuk ka ardhur me dokumente, nuk i është nënshtruar kontrollit tonë, nuk ka ardhur me dokumente, me certifikatë të vendit të origjinës, as nuk ka marrë leje të importit te na. Për neve është kafshë e cila nuk ka ardhur përmes procedurave ligjore.

“Ne i kontrollojmë vetëm ngarkesat zyrtare që vijnë me letra, inspektorët janë ata që i kontrollojnë ose në pika kufitare ose në terminale doganore, ndërsa në kufij janë dogana dhe polica”.

Elsa Ramadani, udhëheqëse Fondacionit për të Drejtat e Kafshëve ka thënë se luani në Kosovë po qëndron që nga fillimi i muajit nëntor 2019 dhe se deri më tani kanë informacione se Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka bërë inspektimin e kushteve të mbajtjes së luanit.

“Deri më tani kemi pasur informate që Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka bërë inspektimin e kushteve të mbajtjes së luanit. Nuk kemi informate të saktë nëse institucionet doganore kanë iniciuar rast në prokurori. Këtë do ta marrim vesh shumë shpejt nëpërmjet kërkesës zyrtare qe ne do t’ia bëjmë Ministrisë se Mjedisit dhe Doganës. Nëse nga asnjëra pale nuk është bere kallëzim penal apo çfarëdo padie tjetër, ne do te marrim masa”.

“Momentalisht jemi ne kontakt të vazhdueshëm me organizata të mëdha të huaja për mbrojtjen e kafshëve. Jemi duke u munduar që t’i gjejmë një strehë luanit në ndonjë nga parqet e mëdha të shpëtimit (rescue centres) në botë. Edhe organizatat e huaja po presin reagim nga institucionet publike. Pa masa konkrete ligjore në Kosovë, askush nuk mund të ndihmojë”, ka thënë ajo për Gazetën Sinjali.

Sipas Ramadani luani nuk mund të konfiskohet pa urdhër zyrtar të ndonjërës prej organeve të drejtësisë apo institucioneve gjegjëse për kafshë të egra.

“Luani ende është aty ku ka qenë. Nuk mund të konfiskohet pa urdhër zyrtar të ndonjërës prej organeve të drejtësisë apo institucioneve gjegjëse për kafshë të egra dhe për importimin e kafshëve të egra, siç është Ministria e Mjedisit”, ka thënë ajo.

Ajo tutje ka thënë se luani nuk mund të mbahet askund në Kosovë pasi që nuk ka parqe shpëtimi për kafshët e egra por duhet t’i dorëzohet ndonjërës prej organizatave të huaja.

“Luani nuk mund të mbahet askund në Kosovë. Nuk kemi as parqe të shpëtimit për kafshë të egra apo edhe për kafshë ekzotike. Luani duhet të i dorëzohet ndonjërës nga organizatat e huaja të medha të cilat kanë qendra të mirëfillta të shpëtimit. Për fat të keq, luanët apo edhe kafshët e tjera të zëna për një kohë të gjatë nga natyra apo edhe të lindura në robëri, nuk mund të ri-lëshohen në natyrën e egër, ngaqë nuk janë të mësuar me që të mbijetojnë. Andaj duhet një strehim i përjetshëm në ndonjërën nga qendrat e shpëtimit në botë”, ka thënë ajo.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme