Inspektorati i shqipton gjobë KRU “Prishtina” për dëmtim të terrenit

Prishtinë | 12 Kor 2019 | 17:17 | Nga Ekonomia Online

Inspektorati i Komunës së Prishtinës i ka shqiptuar gjobë Ujësjellësit Rajonal “Prishtina” për shkak të dëmtimit të terrenit.

Sipas njoftimit të drejtorit të Inspektoratit, Adonis Tahiri, KRU “Prishtina” është dënuar për shkak të 13 intervenimeve që i kanë bërë në infrastrukturën rrugore, dhe nuk e kanë kthyer terrenin në gjendjen e mëparshme.

Sipas tij, secila kompani që merr leje për intervenime në infrastrukturë, e ka për obligim ta kthej terrenin në gjendjen e mëparshme.

Tahiri thotë se muaj më parë, i kanë paralajmëruar edhe publikisht, se nuk do t’i tolerojnë as kompanitë publike në rast se nuk iu përmbahen rregullave, vendimeve dhe pëlqimeve që marrin.

“Do të vazhdojmë me inspektime në të gjitha pjesët e qytetit, dhe kudo që hasim raste të tilla, do të ndërmarrim masa. Kompanitë publike rajonale, do duhej të ishin shumë më të përgjegjshme karshi qytetarëve të Kryeqytetit, ku edhe inkasimi i të hyrave të tyre është maksimal”, thuhet në postimin e tij në Facebook.

Të ngjashme