Inspektorati policor i Kosovës të hetojë rastin e keqtrajtimit të Veron Hasanit

Prishtinë | 04 Qer 2020 | 11:34 | Nga Ekonomia Online

Në protesten e organizuar para Kuvendit të Kosovës , gjatë konferencës për media të Presidentit Thaçi erdhi te një përplasje fillimisht verbale midis protestuesve dhe policëve që mbanin rendin gjatë protestës. Policia e Kosovës përkatësisht mbrojtja e afërt e Presidentit intervenuan kundër një protestuesi , Veron Hasani që iu drejtua Presidentit të Kosovës me fjalën hajn, duke përdorur forcë fizike.

Arsyetimi i Policisë ishte se protestuesi Veron Hasani është përpjekur të hyjë me dhunë në hapësirën ku mbahej konferenca për media e Presidentit Thaçi. KMDLNj e përkrah çdo protestë të qytetarëve, individuale apo të organizuar që bëhet në mënyrë paqësore dhe që është e rregulluar me ligjet në fuqi sikur që e dënon çdo dhunë që përdoret pavarësisht nga kush ushtrohet. KMDLNj sidomos kundërshton, si veprime të kundërligjshme rastet kur dhuna përdoret ndaj personave që janë të neutralizuar nga Policia dhe që nuk paraqesin rrezik për sigurinë e askujt.

Meqë KMDLNj mendon se rasti i Veron Hasanit është i tillë e që nënkupton se kemi të bëjmë me dhunim dhe shkelje serioze të drejtave të njeriut, KMDLNj kërkon nga Inspektorati Policor i Kosovës të bëjë hetime të shpejta dhe të ndërmerr masa ligjore në përputhje me përgjegjësitë që ia jep ligji. Për një delikt verbal Policia nuk ka autorizim e as të drejtë të përdor forcë fizike. KMDLNj kundërshton veprimin e Policisë që përpiqet që gazetarëve t’ua merr telefonin me të cilin dokumentonin përdorimin e forcës ndaj protestuesve si përpjekje për të penguar punën e tyre.


KMDLNj edhe më parë ka denoncuar gjuhën e dhunës që po e përdorin politikanët në Kosovë e që pastaj po përfundon me veprime të dhunshme. Fjala e lirë dhe liria e shprehjes janë të drejta elementare të njeriut dhe si të tilla duhet të respektohen sikur që askush nuk mund të përndiqet apo linçohet publikisht për fjalën e thënë sikur që po veprohet kohëve të fundit në Kosovë. Kosova ka institucione që kanë mandat dhe detyrim ligjor ta mbrojnë lirinë e shprehjes apo ta sanksionojne keqpërdorimin e kësaj të drejteje për të shpifur dhe dëmtuar reputacionin e të tjerëve.

Gjuha e urrejtjes, e përçarjes, përjashtuese, fyese , shpifëse, hakmarrëse dhe linçuese është biletë hyrëse për anarki, kaos dhe luftë qytetare. Nëse nuk ndërmerren masa parandaluese, Kosova po shkon drejt këtyre zhvillimeve negative dhe përgjegjësinë do ta kemi të gjithë. Politikanët dhe institucionet duhet ta kenë përgjegjësinë kryesore në parandalimin e kësaj dukurie të rrezikshme në ndërkohë që për shkak të intereseve personale, partiake, politike dhe biznesore këta po e helmojnë hapësirën ku po jetojmë.

Të ngjashme