Instituti GAP publikoi raportin “Probleme pa zgjidhje”

Prishtinë | 07 Qer 2019 | 12:05 | Nga Ekonomia Online

Me qëllim të orientimit të premtimeve zgjedhore kah shqetësimet kryesore të qytetarëve, në prag të fushatës zgjedhore lokale të 2017, Instituti GAP ka identifikuar problemet kryesore në 30 komuna të Kosovës.

Tani që kanë kaluar gati dy vite nga identifikimi i problemeve nëpër komuna, Instituti GAP del me raport për natyrën e problemeve që i shqetësojnë më së shumti qytetarët, adresimin e tyre në programet zgjedhore dhe qeverisëse të kryetarëve aktual të komunave, si dhe përputhjen në mes të projekteve kapitale 2019-2021 dhe problemeve të identifikuara.

Problemet e pasqyruara nga Instituti GAP janë kufizuar vetëm në ato probleme zgjidhja e së cilave është në kompetencë të komunave ose në bashkërendim me nivelin qendror. Numri më i madh i problemeve të indentifikuara (51% e problemeve) hyjnë në kategorinë e problemeve ambientale, siç janë: mos menaxhimi i mbeturinave, kundërmimi i ujërave të zeza, ndotja e lumenjëve, problemet mjedisore që shkaktojnë hidrocentralet dhe gurëthyesit, prerja e pyjeve, etj.

Fatkeqësisht, sipas të gjeturave të Institutit GAP, vetëm një pjesë e vogël e problemeve të identifikuara para fushatës zgjedhore janë përfshirë në programet zgjedhore të kryetarëve aktual të komunave. Rrjedhimisht edhe një numër më i vogël i problemeve kanë gjetur zgjidhje pas një viti e gjysmë nga fillimi i mandatit qeverisës.

Përderisa problemet ambientale janë shqetësimi më i madh i qytetarëve në të gjitha komunat, komunat kanë zgjedhur që pjesën më të madhe të buxhetit ta orientojnë në zgjidhjen e problemeve të infrastrukturës rrugore, duke treguar kështu mos përputhje në mes të politikave të komunave dhe shqetësimeve të qytetarëve.

Të ngjashme