Invalidët e UÇK-së protestojnë para Qeverisë

Prishtinë | 10 Maj 2017 | 11:21 | Nga Albulena Misini Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Disa invalidë të luftës së UÇK-së në Skenderaj kanë protestuar sot para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës me arsyetimin se nuk po i gëzojnë benificionet që u takojnë si invalidë.

“Ne po kërkojmë që të merret parasysh çdo pikë gjaku e invalidit, sepse të gjithë jemi me probleme shëndetësore, statusin e kemi prej 2015 ndërkaq benificionet nuk i gëzojmë”, ka thënë Valentina Haliti e cila ka mbetur invalidë, raporton Ekonomia Online.

“Ne kemi ardhur këtu t’i bëjmë thirrje Qeverisë që t’i ketë parasysh të drejtat tona të cilat na u kanë mohuar, ne kemi statusin, por nuk  e gëzojmë të drejtën e pensionit”, tha ajo.

“Kërkojmë që mos të shkelët gjaku i invalidit, sepse ne nuk jemi rastësisht këtu, kemi të gjithë probleme shëndetësore”, ka theksuar ajo.

Ndërsa, Fejzë Hoxha invalid i luftës thotë se si pasojë e luftës në vitin 1998 e ka humbur veshkën e djathtë, mirëpo edhe pse ka aplikuar ende nuk ka përfituar pensionin.

“Më 02.12.2010 kam aplikur në Departament, ku në atë kohë ka qenë drejtor, Bajram Pajaziti dhe më ka thënë urime pensionin, e keni merituar. Kurrë se kam marr atë pension, kam 11 anëtarë në familje, por këtu kam ardhur për shoqërinë, jo për vetën time, me vjen keq që nuk kam marr pjesë në protesta tjera”, tha ai.

Ndërsa Hasan Haliti thotë se është i zhgënjyer me këta qeveritar, duke thënë se “këta kanë ngrënë bukë prej duarve të mija”.

“Ka njerëz që i marrin ka 3 ose 4 rroga, Policë, FSK, veteranë, Invalidë, të cilët i kanë bërë zgjidhjet vetëm për vetën e tyre. Na e kanë njollosë edhe ushtrinë e shenjtë, kanë futur familjarë, farefis, fëmijë të tyre, në përgjithësi është i fryrë numri jashtë mase, tmerr është e kemi mbet pa paga. Në krahët tonë gjatë luftës ata janë fshehur pas neve, haram buka ju koftë që ja u kam dhanë të gjithëve edhe farefisit edhe më të lartëve”, u shpreh i mllefosur Haliti.

Të ngjashme