IPK dhe KMDLNj-ja diskutojnë për thellimin e bashkëpunimit

Prishtinë | 19 Sht 2019 | 10:10 | Nga Ekonomia Online

Përfaqësues të KMDLNj-së janë takuar me Kryeshefen Ekzekutive të Inspektoratit Policor të Kosovës, Miradije Kelmendi.  

Në këtë takim u bisedua për bashkëpunimin shumëvjeçar e që ka rezultuar shumë i suksesshëm midis KMDLNj-së dhe IPK-së. Të dy palët shprehën gatishmërinë dhe vullnetin të vazhdojnë bashkëpunimin duke vënë në pah benefitet që ka sjellur ky bashkëpunim në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut.

Gjithashtu, u diskutua edhe mbi gjendjen e përgjithshme, për kushtet e punës, lokacionin por edhe kategorizimin në ligjin e pagave të punonjësve në IPK. KMDLNj, edhe më parë ka reaguar duke theksuar se lokacioni ku është vendosur IPK është i papërshtatshëm për faktin se nuk është lehtë i qasshëm për qytetarët e rajonit të Prishtinës, ndonëse IPK ka edhe disa zyra rajonale e që së shpejti do të hapet një e tillë edhe në qytetin e Pejës, e cila e lehtëson punën edhe të IPK-së por edhe për qytetarët që mund të paraqesin ankesat e tyre.

U diskutua edhe për angazhimin që ka IPK por edhe për rastet specifike që ka zhvilluar dhe atyre që janë në procedurë e sipër.

Në takim u cekën edhe një numër i rasteve të cilat janë inicuar nga KMDLNj e që janë trajtuar nga IPK, të cilët falenderuan KMDLNj për ndihmën e dhënë në të gjitha rastet. KMDLNj inkurajon të gjithë qytetarët e Kosovës që të gjithë ata që kanë ankesa sa i përket policëve të Policisë së Kosovës ta përcjellin ose në KMDLNj ose direkt në IPK për të cilat gjithmonë do të ketë hetim adekuat dhe të gjitha palët do të marrin përgjigje për rastin e adresuar.

Të ngjashme