IPK nis hetimet për arrestimin e mbrëmshëm në Prishtinë

Prishtinë | 13 Sht 2020 | 13:07 | Nga Ekonomia Online

Inspektorati Policor i Kosovës mbrëmë pas orës 22:00 përmes “Linjës së Kaltër” (numri i telefonit pa pagesë 080003333) kishte pranuar një ankesë lidhur me pretendimet e një qytetari për tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës nga disa zyrtarë policorë në një incident që kishte ndodhur më rreth orës 21 e 30 në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë.

Incidenti ishte raportuar të ketë ndodhur mbrëmë kur njësia policore gjatë realizimit të detyrave konkretisht gjatë patrullimit në sheshin “Nënë Tereza” ka hasur në qytetarin i cili ka qenë pa maskë mbrojtëse dhe është arrestuar nga policia me dyshimin për pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.

Hetuesit e Inspektoratit Policor kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes si dhe prokurori kujdestar dhe kanë filluar të ndërmarrin veprime hetimore lidhur me këtë rast.

Ankuesi (i arrestuar nga policia) është dërguar për trajtim mjekësor përderisa raportohet se edhe një zyrtar policor ka pësuar lëndime trupore gjatë arrestimit.

Hetuesit e IPK-së janë duke hetuar këtë rast lidhur me pretendimet e ankuesit për tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës me rastin e arrestimit si dhe pas tij.

Veprimet e mëtutjeshme hetimore lidhur me këtë rast për të sqaruar rrethanat e këtij incidenti do të vazhdojnë nga hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës.

Të ngjashme