IPK rekomandon suspendimin e dy zyrtarëve policorë që u arrestuan sot në Prizren

Prishtinë | 15 Qer 2021 | 13:58 | Nga Ekonomia Online

Inspektorati Policor i Kosovës ka arrestuar katër persona, në mesin e tyre dy zyrtarë policorë.

Kështu është bërë e ditur përmes një njoftimi për media.

“Muaj më herët hetuesit e IPK-së kishin filluar një hetim në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prizren me dyshimin se dy zyrtarë policorë ishin të përfshirë në aktivitete të kundërligjshme. Në këtë rast si të dyshuar për aktivitete të kundërligjshme ishin të përfshirë edhe dy qytetarë.
Si rezultat i hetimit të suksesshëm disa mujor, hetuesit e IPK-së sot në orët e hershme të mëngjesit kanë arrestuar katër të dyshuar, dy prej tyre zyrtarë policorë dhe dy qytetarë të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

IPK njofton se arrestimi i zyrtarëve policorë është bërë me dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprat penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Marrje e ryshfetit” kurse qytetarët u arrestuan si të dyshuar për veprat penale, “Detyrim” ,“Dhënie e ryshfetit” dhe “Mashtrim”.

“Në kuadër të këtij hetimi, zyrtarët e IPK-së të asistuar edhe nga zyrtarë të Policisë së Kosovës kanë realizuar sot në orët e hershme të mëngjesit në një objekt banimi në Prizren edhe një urdhër për kontroll të autorizuar nga Gjykata Themelore në Prizren ku janë konfiskuar disa dokumente dhe gjëra të tjera lidhur me lidhur me hetimin e kësaj çështjeje penale.

Katër të dyshuarve të arrestuar në këtë rast me vendim të Prokurorisë Themelore në Prizren u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë përderisa IPK ka rekomanduar edhe suspendimin për zyrtarët policorë”, thuhet në njoftim.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme