IPK zbarkon në pikën kufitare në Vërmicë, pritet arrestimi i zyrtarëve policorë të dyshuar për korrupsion

Prishtinë | 08 Pri 2022 | 10:42 | Nga Ekonomia Online

Në kuadër të luftës kundër krimit dhe korrupsionit në pikat kufitare, në vazhdën e aksionit “Pika”, Inspektorati Policor i Kosovë sot ka zbarkuar në pikën kufitare në Vërmicë, pas identifikimit të zyrtarëve policorë që dyshohen të jenë të përfshirë në disa vepra penale.

IPK ka bërë të ditur se gjatë këtij aksioni të koduar si “Pika 2” pritet të vihen në prangat e IPK-së dhjetëra zyrtarë policorë nën dyshimin se kanë kryer veprat penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “marrje ryshfeti”.

Hetimi i nisur rreth një vit më parë ka rezultuar me identifikimin e zyrtarëve policorë të dyshuar për korrupsion, të cilët kanë qenë objekt hetimi nga Inspektorati Policor i Kosovës dhe ka përfshirë masat e fshehta të në koordinim me Prokurorinë dhe të aprovuara nga Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Prokurorët e Departamentit për Krim të Organizuar dhe krime të tjera në kompetenxë të PRSK-së që kanë zhvilluar hetimet në këtë rast janë Burim Çerkini dhe Haki Gecaj.

Përveç zyrtarëve policorë të Kosovës, sipas burimeve të Sinjalit në pranga do të bien edhe zyrtarë policorë të Shqipërisë, të cilët dyshohen se për muaj të tërë u kanë mundësuar dhjetëra qytetarëve shqiptarë dhe kosovarë kalimin kufitar në mënyrë të parregullt, për çka dhe kanë pranuar si ryshfet shuma të konsiderueshme të parave.

Të ngjashme