Ish-drejtori i Trepçës e fiton rastin edhe në shkallën e dytë

Prishtinë | 17 Gus 2020 | 16:35 | Nga Ekonomia Online

Komisioni i Organit të shkallës së dytë në Inspektoratin e Punës ka vërtetuar vendimin e shkallës së parë për kthimin në punë të kryeshefit ekzekutiv të ndërmarrjes “Trepça”, Basri Ibrahimi, i cili ishte shkarkuar nga Bordi i Përkohshëm Mbikëqyrës të Drejtorëve të Trepçës, të emëruar nga ish-kryeministri Albin Kurti.

Bordi i Përkohshëm i Trepçës që ishte emëruar në fillim të marsit, në prill kishte shkarkuar kryeshefin ekzekutiv të kësaj ndërmarrjeje, Basri Ibrahimin.

Ai ishte ankuar në Inspektoratin e punës, me ç’rast ankesa i ishte aprovuar dhe dy muaj pas shkarkimit, ai u kthye në detyrë. Pas marrjes së vendimit të shkallës së parë, edhe shkalla e dytë i ka dhënë të drejtë Ibrahimit.

Inspektorati i Punës e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Bordit të Përkohshëm Mbikëqyrës të Drejtorëve të Trepçës.

Në këtë mënyrë, është vërtetuar vendimi i Organit të shkallës së parë të Inspektoratit të Punës për kthimin në punë të Ibrahimit.

Në dokumentet e siguruara nga Reporteri, thuhet se Komisioni i Organit të shkallës së dytë të Inspektoratit të Punës ka gjetur se ankesa e Ibrahimit në shkallën e parë është e bazuar.

“Inspektorati i Punës, pas shqyrtimit të ankesës dhe dokumentacionit të dorëzuar nga palët, në procedurë, konstaton se: Bordi i Përkohshëm i Mbikëqyrjes së Drejtorëve të “Trepça” Sh.a me datë 15.04.2020, Nr.1546, me rastin e marrjes së vendimit, ka vepruar në kundërshtim me nenin 47 të Ligjit Nr.05/L-031 të procedurës së përgjithshme Administrative…”

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme