Ish-drejtori i Urbanizmit dhe inspektorët në Gjilan sërish lirohen nga akuza për korrupsion

Prishtinë | 04 Dhj 2019 | 09:53 | Nga Ekonomia Online

 Gjykata Themelore në Gjilan, ashtu si në gjykimin e parë dhe të dytë, ish-drejtorin e Urbanizmit në Gjilan, Valon Shefkiu, si dhe inspektorët e ndërtimit në këtë komunë, Baki Azemi, Merita Cana Shabani dhe Shkëndije Mahmuti-Hajdini, i ka liruar nga akuza për keqpërdorim pozite.

Katër të pandehurit akuzoheshin se kanë keqpërdorur detyrën zyrtare që u ishte besuar me ligj, ashtu që gjatë periudhës kohore 2013-2014, nuk kishin ndërmarrë veprime zyrtare për rrënimin e objekteve të ndërtuara pa leje, si dhe rrënimin e objekteve në të cilat është tejkaluar leja e ndërtimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Aktgjykimi ndaj tyre është shpallur, të mërkurën, nga kryetari i trupit gjykues, Agim Ademi, i cili ka thënë se gjykata edhe pas këtij rigjykimi nuk ka gjetur prova se të akuzuarit i kanë kryer veprat penale me të cilat ngarkohen.

Palët e pakënaqura kundër këtij aktgjykimi, sipas gjykatësit Ademi, brenda afatit ligjor mund të ushtrojnë ankesë në Gjykatën e Apelit.

Sipas gjykatësit Ademi, shpenzimet e procedurës penale bien në barrë të mjeteve buxhetore të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK).

Ndryshe, Gjykata Themelore në Gjilan, edhe më 30 qershor 2017, në mungesë të provave, i ka shpallur të pafajshëm dhe i ka liruar nga akuza katër të akuzuarit, të cilët akuzoheshin se nuk kanë ndërmarrë veprime zyrtare për rrënimin e objekteve të ndërtuara pa leje, si dhe rrënimin e objekteve në të cilat është tejkaluar leja e ndërtimit.

Ndaj këtij vendimi, prokuroria kishte parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit dhe e njëjta kishte vendosur që ta kthej këtë rast në rigjykim.

Gjykata Themelore në Gjilan më 8 qershor 2018, ashtu si në gjykimin e parë, edhe në atë të dytë, të akuzuarit në mungesë të provave i kishte shpallur sërish të pafajshëm.

Por sërish, ndaj këtij vendimi të Themelores, ankesë në Apel kishte parashtruar Prokuroria Themelore në Gjilan, me ç’rast kjo e fundit rastin edhe njëherë e kishte kthyer në rigjykim.

Ky gjykim zhvillohej sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Gjilan më 4 shkurt 2016, sipas së cilës të akuzuarit Valon Shefkiu, Baki Azemi, Merita Cana-Shabani dhe Shkëndije Mahmuti-Hajdini, në cilësi të inspektorëve ndërtimorë kanë keqpërdorur detyrën zyrtare që u ishte besuar me ligj.

Sipas aktit akuzues, katër të akuzuarit gjatë periudhës kohore 2013-2014 nuk kishin ndërmarrë veprime zyrtare për rrënimin e objekteve të ndërtuara pa leje ndërtimi, si dhe rrënimin e objekteve në të cilat është tejkaluar leja e ndërtimit.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit në mënyrë të kundërligjshme dhe në kundërshtim me interesat dhe qëllimet e Komunës së Gjilanit, nuk kishin ekzekutuar masën për rrënimin e këtyre objekteve, duke iu mundësuar personave të ndryshëm përfitim pasuror.

Të ngjashme