Ish-eprori i UÇK-së kontakton Elez Blakajn, i bie pishman që e ka fyer

Prishtinë | 19 Sht 2018 | 17:12 | Nga

Ish-eprori i UÇK-së, nënkolonel Astrit Huskaj, tri ditë më parë kishte fyer prokurorin e ikur në Amerikë, Elez Blakajn, pasi emri i tij figuronte në listat e veteranëve të rrejshëm. Për këtë, nënkolonel Huskaj kishte paralajmëruar padi ndaj Blakajt pasi që, sipas tij, kishte të drejtë ngase edhe ai jeton në Amerikë.

Para se ta bënte këtë veprim, Huskaj ka kontaktuar me Blakajn duke ndërruar tani qëndrimin ndaj tij.

Në një bisedë me Indeksonline, ish-eprori i UÇK-së ka treguar se pse u bind me qëndrimin që kishte ndaj Elez Blakajt.

“Të nderuar bashkëluftëtarë, i nderuar opinion publik, ka tre ditë që i tërë opinioni është duke debatuar për listat e publikuara nga Prokuroria Speciale, listat e veteranëve “mashtrues” ku në mesin e atyre listave janë shumë ushtarë dhe eprorë të UÇK-së të cilët ishin që nga fillimi deri në mbarim të luftës aktivë në UÇK. Në atë listë kam hasur edhe emrin tim.

I revoltuar jashtë mase, pasi që kam qenë ushtar e epror i UÇK-së nga pranvera e 98 deri në përfundim të luftës në qershor 99, apo më mirë të them deri me demobilizimin e UÇK-së me datë 19/09/1999 ,u ndjeva po ashtu shumë i fyer.

Pasi që jetoj në Amerikë dhe duke u bazuar në informacionet e mediave sipas të cilave edhe ish-prokurori Blakaj është me vizitë në Amerikë, fillova të kërkojë mundësinë e kontaktimit me të. Kam kontaktuar avokatin tim dhe kemi përgatitur padi ndaj Z. Blakaj për fyerje dhe denigrim të personalitetit tim. Këtë të drejtë e kam pasi jam nënshtetas amerikan. Dje komunikova me zotin Blakaj. Ai më sqaroi detajisht procesin lidhur me aktakuzën e përgatitur nga ai vet. Bashkëluftëtarë të nderuar; pas kontaktit me Z. Elez Blakaj dua t’u bëj FTESË PUBLIKE që të ndalojmë tentimet, fyerjet dhe kryqëzimin e pamerituar të z. Blakaj!

Në mënyrë shumë të civilizuar, Blakaj më garantoi se kjo listë që është publikuar nuk është lista e përgatitur nga ai. Dua ta siguroj Blakaj se unë do jem në krah dhe në ndihmë të tij.
Lidhur me këtë çështje, Blakaj ushtarët e vërtetë të lirisë do jenë në krah me ju dhe lista e veteranëve duhet pastruar”, ka thënë Huskaj për Indeksonline.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme