Ish-komandanti i FSK-së: Nuk mjaftojnë 100 milionë euro për ushtrinë, duhet së paku 150 milionë euro buxhet

Prishtinë | 11 Maj 2021 | 18:16 | Nga Ekonomia Online

Në programin e miratuar javën e kaluar, Qeveria e Kosovës ka ndarë buxhet mbi 100 milionë euro për Ministrinë e Mbrojtjes. Në njoftimin që bëri Lëvizja Vetëvendosje, partia që udhëheq me ekzekutivin, thuhej se një gjë e tillë bëhet për herë të parë dhe se qeveria Kurti e ka prioritet FSK-në.

Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti ka miratuar programin qeverisës katër vjeçar në të cilën parashihet që buxheti vjetor i Minsitrisë së Mbrojtjes, ku përfshihet edhe FSK, të jetë mbi 100 milionë euro.

Ky vendim u mirëprit nga shumë njohës të fushës së sigurisë, përfshirë ish-ministrin e Mbrojtjes Anton Quni, i cili në një prononcim për Gazetën Online “Reporteri.net” tha se rritja e buxhetit është një shprehje e vullnetit nga e Qeverisë për përkrahje të këtij digasteri.

Por, ish-komandanti i FSK-së, gjeneral Kadri Kastrati, thotë se për shkak të rritjes së kapaciteve njerëzore, kjo rritje e buxhetit nuk mjafton.

“Unë kam insistiu edhe ma herët se duhet të rritet buxheti për mbrojtje dhe siguri. Duke ditur se FSK duhet të shtoj numrin së paku edhe 1000 veta dhe duke ditur se pagat, armatimi i tyre dhe pajisjet personale për ta do të rriten për mbi 20 milionë, unë mendoj se këto para nuk mjaftojnë për ta avancuar FSK në blerjen e armatimeve që parashihen me ligj dhe dinamikë të planit për zhvillim”, tha Kastrati për Reporteri.net.

Sipas gjeneralit në pension, buxheti i ushtrisë duhet të jetë së paku 150 milionë euro.
Qeveria e Republikës së Kosovë do të duhej që 1.5 deri ne 2 % të GJDP-së të ndaj për ushtri, sepse ky është një standard i NATO-s. Ushtria do të duhej të ketë më shumë para edhe pse në të ardhmen do të ketë edhe më shumë operacione në kuadër të NATO-s dhe ShBA. Buxheti për FSK për me i përmbush të gjitha detyrimet që dalin nga ligjet dhe Kushtetuta dhe për të pasur një ushtri moderne dhe të pajisur mirë për të mbrojtur kufitë, marr pjesë në operacione jashtë vendit si dhe për t’i mbeshtetur autoritet kosovare do të duhet të kete buxhet jo më pak se 150 milionë”, tha Kastrati.

Kujtojmë që ende nuk dihet se kur do të votohet në Kuvend programi katërvjeçar i Qverisë Kurti II.

Të ngjashme