Ish-mësimdhënësi kërkon kompensimin e pagave pas pensionimit, Komuna e Prishtinës thotë se s’ka linjë buxhetore

Prishtinë | 11 Dhj 2019 | 14:42 | Nga Ekonomia Online

Ka përfunduar gjykimi në rastin ku ish-mësimdhënësi Zahir Beshiri, po kërkon nga Drejtoria Komunale e Arsimit (DKA), kompensimin e tri pagave jubilare dhe tri pagave përcjellëse, të cilat pretendon se i takojnë me rastin e pensionimit.

Fillimisht, në seancën e së mërkurës, gjykatësi Ajaldin Tërshnjaku, ia ka dorëzuar provat e paditësit, përfaqësueses së Komunës së Prishtinës, Leonora Sadiku-Topalla, pasi qe ajo e ka njoftuar gjykatën se përveç padisë, të tjerat nuk i posedon.

Përfaqësuesi i paditësit, Halim Mujku, ka deklaruar se me provat e bashkëngjitura në padi, është e qartë baza ligjore, duke u bazuar në Kontratën Kolektive, si dhe provat tjera, ku siç tha ai, paditësi ka mbi 37 vjet pune, e cila është vërtetuar nga vërtetimi i DKA-së.

E në anën tjetër, përfaqësuesja e të paditurës Sadiku-Topalla, e ka kontestuar në tërësi padinë dhe kërkesëpadinë e paditësit, me arsyetimin se një kompensim i tillë nuk është paraparë në Ligjin e Punës, e as në Ligjin për Shërbyes Civil.

Po ashtu, ajo tha se Komuna e Prishtinës, gjatë përgatitjes së buxhetit, nuk ka paraparë në skemën e saj buxhetore një linjë të veçantë për këtë lloj kompensimi.

Mirëpo, përfaqësuesi i paditësit i ka kundërshtuar këto pretendime që paditësi të konsiderohet shërbyes civil, për faktin se siç tha ai, punëtorët e arsimit me Ligjin për Shërbyesit Civil nuk i takojnë asaj kategorie, raporton Betimi për Drejtësi.

Gjithashtu, ai tha se nuk është bazë për refuzimin e kërkesëpadisë, fakti që e paditura nuk ka paraparë linjë buxhetore për pagat pas pensionimit dhe pagat jubilare.

Ndërsa, në fjalën përfundimtare, ai e ka bërë precizimin e kërkesëpadisë sa i përket lartësisë, dhe atë për tri pagat përcjellëse shumën prej 1365.19 euro, si dhe tri pagat jubilare prej 1365.19 euro, të gjitha këto me kamatë ligjore prej 8%, si dhe shpenzimet e procedurës gjyqësore, shumën prej 259 euro.

Ai i ka propozuar gjykatës që padinë dhe kërkesëpadinë e paditësit ta aprovojë në tërësi si të bazuar.

Kurse, përfaqësuesja e të paditurës, në fjalën përfundimtare e ka kontestuar padinë dhe kërkesëpadinë e paditësit, andaj i ka propozuar gjykatës që atë ta refuzojë si të pabazuar.

Pas administrimit të provave dhe fjalës përfundimtare të palëve ndërgjyqëse, gjykatësi Alajdin Tërshnjaku, ka njoftuar se procedura në këtë çështje kontestimore ka përfunduar dhe sipas tij, palët do të njoftohen me kohë lidhur me vendimin.

Sipas padisë së ushtruar më 22 gusht 2018, paditësi Zahir Beshiri, ka punuar si mësimdhënës i ciklit të ulët në shkollën fillore “Shkolla e Gjelbër”, deri në ditën e pensionimit, më 17 janar 2018.

Siç thuhet në padi, paditësi ka mbi 37 vite punë dhe padinë e ka bazuar në Kontratën Kolektive të Arsimit, ku sipas padisë, i takon e drejta për tri pagat përcjellëse dhe tri pagat jubilare, por që kjo e drejtë nuk i ishte njohur nga e paditura.

Andaj, me anë të kësaj padie, ai po kërkon nga gjykata që ta obligojë të paditurën që atij t’ia kompensojë tri pagat përcjellëse në vlerë prej 1365.19 euro, dhe tri pagat jubilare prej 1365.19 euro, dhe atë me kamatë ligjore prej 8%.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme