Ish-ministri Selimi: Moment historik marrëveshja për lëshimin me qira të 300 qelive të burgut për Danimarkën

Prishtinë | 16 Dhj 2021 | 17:48 | Nga Ekonomia Online

Ish-ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, ka mbështetur marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Danimarkës për dhënien me qera të qelive të burgut.

Selimi ka shkruar se marrëveshja e arritur nga ministrja Haxhiu është një moment historik në marrëdhëniet Kosovë-Danimarkë.

“E mbështes punën e Albulena Haxhiun në arritjen e marrëveshjes me ministrin e Drejtësisë së Danimarkës Nick Hakkerup për Shërbimet Korrektuese. Ky është një moment historik në marrëdhëniet Kosovë-Danimarkë. Ky proces dëshmon se Kosova është lider në shërbimet korrektuese në rajon”, ka shkruar Selimi.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka njoftuar se ka arritur marrëveshje me shtetin danez për ofrimin me qira të 300 qelive të burgut të Gjilanit.

Nga kjo marrëveshje, Kosova do të përfitojë 210 milionë euro.

Bazuar në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë, kjo marrëveshje parashihet të gjejë zbatim të plotë në periudhë dhjetë vjeçare.

Ndryshe, Ministri i Drejtësisë së Danimarkës, Nick Haekkerup, ka deklaruar se kjo është duke u bërë me qëllim që të zgjerohen kapacitetet e burgjeve të Danimarkës, raporton Nyhyeder.

“Kemi mungesë të mbi një mijë vendeve në Shërbimin Danez të Burgjeve dhe të Paraburgimit deri më 2025. Jam i lumtur të them se me marrëveshjen e arritur bashkërisht po e trajtojmë këtë çështje”.

“Ne mes të gjerave të tjera, jemi pajtuar se puna duhet të përfundojë për huazimin e qelive në Kosovë për t’i deportuar të burgosurit nga vendet e treta. Ne jemi duke i zgjeruar burgjet daneze për periudha afatshkurta dhe afatgjata”, ka deklaruar Haekkerup

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme