Ish-pjesëtari i UÇK-së, Cena: Lufta ishte e drejtë dhe e pastër, por e fëlliqen forcat serbe

Prishtinë | 14 Nën 2020 | 10:11 | Nga Ekonomia Online

Ish-drejtori i Drejtorisë Publike-Civile të UÇK-së në Zonës Operative të Pashtrikut, Sabahajdin Cena, thotë se lufta e UÇK-së ishte e drejt, “mirëpo ajo u fëlliq nga forcat barbare serboçetnike”.

Sipas tij, forcat serbe në vend të ballafaqimit me luftëtarët e UÇK-së, ata masakruan popullatën civile.

“Gjatë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, forcat barbare serboçetnike duhej të ballafaqoheshin me luftëtarët e lirisë e me çlirimtarët, por e fëlliqën pastërtinë e luftës së djelmoshave të Adem Jasharit”, thotë Cena.

“ Ç’u duhej forcave serbo- çetnike masakra mbi pleqtë, gratë dhe fëmijët e familjes Jashari, ç’u duhej i tërë ai masakër mbi Delijajt, mbi Elshanët, ç’u duheshin breshëritë mbi popullatën e Rahovecit, ç’u duheshin masakrimet e trupave në Reçak, në Izbicë, në Qyshk, në Beleg, në Mejë, në Korenicë, në Rogovë të Hasit, në Therandë, në Grashticë, në Hallaq e Ribar dhe e tërë kjo vistër masakrash qe prirë prej sadizmit barbar terrorist të atyre që drejtonin dhe tash e drejtojnë shtetin që dogji Kosovën, shtetin që vrau 1340 fëmijë, shtetin që dhunoi rreth 20.000 femra, shtetit që dëboi mbi një milion shqiptarë, shtetit që kurrë nuk u ngopë me gjak shqiptari”.

“Edhe në arealen luftarake që mbulonte Brigada 124 “Gani Paçarizi” e Zonës Operative të Pashtrikut, forcat paramilitare të ndihmuara edhe nga banorët e armatosur serbë të komunës së Rahovecit, nga policia dhe ushtria, është dashur të zhvillojnë një luftë me luftëtarët e lirisë, por edhe këtu luftën e fëlliqën serboçetnikët që me barbarinë e tyre vranë e masakruan nëpër; Fortesë, Celinë, Hoçë të Vogël, Nagac, Brestos, Reti, Apterushë, sërish në Rahovec, Zatriq, Pastasel, Rakovinë, Krushë të Madhe e Krushë të Vogël, e fëlliqën edhe më shumë duke i zvarritur trupat e pajetë nëpër Serbi në mënyrë që të zhduket çdo gjurmë e krimeve monstruoze”, shprehet ai.

“Trupat u shpërndanë grykave, lumenjve e liqeve të Serbisë-shtetërore, sepse këto i bëri shteti i Vuçiqit e i Daçiqt në frymën e Milosheviqit”, shkruan “PrizrenPress”

“Pra, pastërtinë e fëlliqën forcat teroriste serboçetnike që me kufomat e vëllëzerve tanë ngritën një kodër duke i zvarritur me qerret e tyre të turpit, dhe ende i mbajnë të fshehur”.
Cena fëlliqtin e forcave serbe e krahason me atë të Akilit për sadizmin që ushtroi mbi trupin e vdekur të Hektorit, i vrarë në Luftën e Trojës.

“Qysh në luftën greko-trojane, Akilit nuk i lejohej, që pas vrasjes së Hektorit ta zvarrisë me qerren triumfale trupin e tij përreth mureve të Trojës, e as të presë që të vinte e t’i lutej Priami-plak për t’ia dorëzuar trupin e pajetë të Hektorit. Pra, pastërtinë e fëlliqi Akili me tërë sadizmin që ushtroi mbi trupin e Hektorit të vrarë”.

Ish-drejtori i Drejtorisë Publike-Civile të UCK-së në Zonës Operative të Pashtrikut, Sabahajdin Cena, në janar të vitit 2019 është intervistuar nga Gjykata Speciale e Hagës.

“Gjatë periudhës së luftës kam qenë pjesë aktive e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në cilësinë e Drejtorit të Drejtorisë Publike Civile të Zonës Operative të Pashtrikut. Ne besojmë në pastërtinë e luftës tonë çlirimtare dhe vlerat e saja nuk mund të kontestohen nga askush, nuk kemi asnjë arsye që t’i shmangemi organeve të drejtësisë dhe do të jemi në dispozicion të çfarëdo thirrje për të zbardhur të vërtetën”, pati thënë ai.

Prof. dr. Sabahajdin Cena gjatë luftës la studentët për t’iu bashkuar luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Të ngjashme